Kujtimi dhe nderimi i At Gjergj Fishtës/ Kuvendi i Troshanit së shpejti monument kulture

Së shpejti Kuvendi i Troshanit ku u shkollua e më vonë shërbeu, At Gjergj Fishta do të marrë statusin e monumentit të kulturës. Këtë e bën të ditur vet ministrja Kumbaro, e cila në Facebook shkruan se ky është vendi ideal për një muze përkujtimor.

Nga Mirela Kumbaro

Kjo javë ishte e bukur dhe plot emocione nga Veriu në Jug.
Por si në çdo kompozim ka gjithmonë një detaj që bën ndryshimin. Dhe ky detaj është kujtimi për At Gjergj Fishtën.
Merita është e Dom-Nike Ukgjini falë bashkëpunimit me të cilin morëm rrugën drejt Fishtës, pikërisht aty ku lindur një nga shkrimtarët e mëdhenj të gjysmës së parë të shekullit XX shqiptar, pikërisht aty ku shtëpia e lindjes nuk ekziston më dhe ku Kisha ka ngritur një memorial të thjeshtë deri në madhështi.
Por pjesa më interesante e udhëtimit ndodhi në #Troshan të Zadrimës. Te Kuvendi Françeskan i Troshanit.

Me pak fjalë rrëfimin e Dom Nikës po e përmbledh këtu:
Jo larg fshatit Fishtë, gjendet kuvendi i Troshanit, ku etërit françeskanë në vitin 1639 erdhën në shkrepat e këtij fshati të Zadrimës duke ngritur një Kishë dhe një shtëpi të të varfërve. Më vonë, etërit françeskanë ishin ulur në vendin e tanishëm, ku me ndihmën e Austro-Hungarisë ndërtuan Kishën dhe Kuvendin në vitin 1857. Në vitin 1880, u dha leja e hapjes së kolegjit (shkollës) në ketë Kuvend që u inaugurua më 14 prill 1882. nga misionarët: At Mariano Pizzochini prej Palmanova, (Udine) dhe At Gian Pierro Ferrari, prej Bergamo.
Drejtori i kësaj shkolle nga viti 1883-1893, ishte At Lovro Mihaçeviq nga Bosnja i cili ka shkruar dy vepra te rëndësishme për shqiptaret, në kroatisht dhe gjermanisht: Nëpër Shqipëri, 1911 dhe Shënime nga historia e Shqipërisë 1912. Duke qenë të nxitur nga porosia papnore për edukimin e brezave të rinj, nga ky Kolegj, u nxorr pas pesë viteve shkollim, gjenerata e parë, prej gjashtë nxënësve shqiptarë, të cilët në vitin 1886, qenë dërguar për studime të mëtejshme, në Bosnje për t’u bërë meshtarë të urdhrit Françeskan. Dallëndyshet e para që fluturuan nga Shkodra për në rishtari (noviciat) në Guçja Gora, afër qytetit të Travnikut, (Bosnje) sipas dok. 573, dt. 15, tetor, 1886, ishin: Gjergj Fishta me emrin e pagëzimit, Jozef; At Anton Nënshati; At Jozef Blinishti, At Pjeter Gjadri; At Lorenc Mitrovic (Mazreku); At Engjëll Paliç.
Kolegji (shkolla) e Troshanit më pak shkëputje, qëndroi i hapur deri në vitin 1921, për të vazhduar më pas duke kryer funksionin e Kuvendit për edukimin e rishtarëve (novicie) deri në vitin 1945. Në një kohë të caktuar këtu funksiononte edhe gjimnazi katërvjeçar dhe vend studimi për filozofi dhe teologji. Në këtë kolegj kryen shkollimet apo punuan etërit më të shquar të provincës françeskane: Ambroz Marlaskaj, (studiues i shquar i letërsisë); Marin Sirdani, (historian), Shtjefën Gjeçovi, (etnolog, arkeolog); Justin Rrota, (gjuhëtar dhe shkrimtar); Benardin Palaj,(folklorist); Gjon Shllaku, (filozof e shkrimtar); Pashko Bardhi,( letrar); Leon Kabashi, (piktor), Jak Marlekaj, (përkthyes e historian); Atanas Gegaj, (historian), Daniel Gjeçaj, (letrar); Viktor Volaj, (letrar dhe sekretar i Atë Fishtës); Donat Kurti, (gjuhëtar e folkorist), Vinçenc Prennushi, (poet, shkrimtar, përkthyes); Anton Harapi, (romancier, filozof), At Martin Gjoka, (kompozitor) etj.
Sipas dëshmisë së librit të pagëzuarve të famullisë së Troshanit, Gjergj Fishta ka lindur më 22 (e jo me 23) tetor, 1871, e pagëzuar me 24 tetor po të atij viti, me emrin Jozef, nga famullitari i Troshanit, nga At Leonardo De Martino. Siç dihet, Fishta në kushtet e Përmotshme, në vitin 1891, nga emri Jozef, kaloi në Johannes (Gjon) dhe vitin 1893, kishte marre emrin Enea-Silvio-Giorgio Fiscta, përkatësisht, Georgius Fiscta (Gjergj Fishta).
Në Troshan të Zadrimes mësues i Gjergj Fishtës, Shtjefen Gjeçovit, Pashko Bardhit, etj. ishte poeti italo –arbëresh, Leonardo De Martino ( 1830-1823), i cili ngriti poezinë shqiptare në majat më të larta me botimin “Harpa e një Arbëreshi” në vitin 1881 në shqip dhe italisht, etj..

Me drejtoren e Instituti i Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani, dhe drejtoren e Drkk Shkodër, Majlinda Laçaj dhe natyrisht në shoqërinë e ditur të Dom-Nikes, shkuam në Kuvend, takuam priftin e famullisë, At Sokol Pepushaj i cili si një udhërrëfyes i vërtetë muzeu na shpjegoi detajet e kishës, tavanin origjinal, ballkoni i korit (cantorium) me të gjitha gdhendjet autentike, që kërkonte ndërhyrje për mbrojtje, kuvendin e motrave, veprimatritë edukuese e kulturore, gjurmët e themeleve të shkollës së Gjergj Fishtës e të kulmeve të saj në krahun e majtë të kishës, të cunguar në vitet e errta kur besimin diktatura e pat dënuar me vdekje pa e vrarë dot kurrë.

Të gjitha këto At Sokoli na i rrëfeu me pasionin e besimit dhe shpejtësinë e njeriut që e prisnin pas pak minutash të fillonte meshën e pasdites, ndërsa kisha mbushej dalëngadalë me zadrimoret e urta.

Sot Kuvendi i Troshanit si një vend historik në vete, është i restauruar dhe i sistemuar me shumë kujdes nga Provinca françeskane shqiptare. Ka ambiente të brendshme të bollshme dhe shumë të përshtatshme për krijimin e një muzeu përkujtimor për të gjitha këto koka të ndritura françeskane shqiptare, të cilat aq shumë punuan për popullin tonë sa nuk dimë në ç’mënyrë do ua kthenim.

Mandej, Kuvendi për rreth e qark ka një hapësirë magjepse dhe atraktive rrëzë vargmaleve të Troshanit. Ka një infrastrukturë të re e solide. Në këtë hapësirë, thënë ndryshe, mund të zhvillohej lirshëm një turizëm i suksesshëm kulturor vendas dhe i huaj.
Unë jam shumë dakord me Dom Nikën që Kuvendi i Troshanit është vendi ideal për të nderuar jo vetëm Gjergj Fishtën, atje ku ai jetoi, u shkollua dhe shërbeu, por për përjetësuar nderimin për të gjitha këto mendje të ndritura jo vetëm për katolicizmin shqiptar por edhe për kulturën dhe letrat shqipe.
Me këtë rast do shmanget kakofonia e padija e krijuar në mënyrë artificiale dhe amatore , ndërsa ne si autoritete kulturore do ndjehemi më kryelartë përballë detyrimit të pashlyeshëm për nderimin e figurave të Kombit, sepse krahas “Qendrës Muzeale Ndre Mjeda” (vepër e pasionit të Dom-Nike Ukgjinit) do t’i shtohej kulturës shqiptare edhe një Qendër e rëndësishme me figura të merituara nga bota françeskane.
Ne e filluam punën: shumë shpejt Kuvendin e Troshanit e shpallim monument kulture, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe DRKK Shkodër, po përgatisin dosjen.
#PunëTëMiraMeNjerëzTëMençur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *