Qyteti i kinemave, kur shfaqeshin filma në luftë

Fatmira NIKOLLI

Shfaqjet e para filmike në Shqipëri janë të lidhura me emrin e Kolë Idromenos (1860-1939), fotografit, piktorit, arkitektit. Jemi në Shkodrën e 1900-ës. Ndonëse luftërat i zënë frymën qytetit, në një prej shtëpive të Gjuhadolit, projeksionet filmike mbledhin dhjetëra qytetarë që ndjekin me endje artin e shtatë. Pargaliu i Shkodrës, që kish veshur deri në deje tanimë qytetin verior, linte gjurmë në fusha të ndryshme të artit, duke shënuar në to vulën “për herë të parë”.
Ish-drejtori i Degës së Filmit në Shkodër, Gjergj Denelli thotë për “GSH” se Kolë Idromeno ishte nismëtar i shfaqjeve të para filmike në Shqipëri në 1912-ën, gjë që çoi në krijimin e rrjetit të kinemave të Shkodrës ndër vite. Një portret të plotë të Idromenos dhe raportit të tij me filmin, ai e bëri te Muzeu Marubi, nga ku u mor shkas për këtë bisedë.
“Idromeno kishte studion e tij të fotografisë. Që prej vitit 1908, ai nis të shfaqë filma, që janë dokumentarë, të shkurtër deri në 2, 3 a 5 minuta. Shfaqen Budapesti e Italia. Ishin me pamje të ndryshme, që i shfaqi atëbotë në klubin ‘Gjuha Shqipe’ në rrugën ku ishte shtëpia e tij”, thotë Denelli, i cili ka drejtuar në vitet 1980-1992 edhe Muzeun e Filmit në Shkodër, një hapësirë e të cilit i ishte kushtuar Idromenos e shfaqjeve të para filmike në Shqipëri.
Idromeno do të lidhej me firma të huaja të prodhimit të materialeve fotografike e kinematografike, si me firmën franceze “Cinema Pathe”, e cila më 6 tetor 1924 i shkruan Idromenos: “Do të jemi të gëzuar të hyjmë në marrëdhënie pune më shtëpinë tuaj”.
Denelli rrëfen se Kola pati marrëdhënie edhe me Lumierët, por jo vetëm. “Më 1912 ai nënshkroi një dokument për shfaqje filmash në shtëpinë e tij bashkë me austriakun Jozef Stauber. Mori përsipër shfaqjen e filmave dhe pagoi 48 napolona ari. Nisi shfaqjet e para të filmit, që ndiqeshin nga shumë njerëz. Janë disa artikuj te ‘Shqipinia e Re’, ‘Besa Shqiptare’ e më gjerë që e vërtetojnë këtë”.
FILMA NË LUFTË
Bëhet fjalë për filma të shkurtër e komedi. Ata shfaqeshin dy herë në ditë, para dhe pasdite duke përdorur mjetet e kohës. “Kontrata mes Idromenos e Staberit është për periudhën kohore shtator 1912- shtator 1913. Më pas, austriaku ikën dhe është Kola që vijon kinemanë e tij të shtëpisë – i vetëm”. Shfaqja e filmave del nga shtëpia e Kolës për t’u shtrirë përgjatë bregdetit dalmat. Denelli përmend një rrëfim të Andrea Skanjetit, që ka shoqëruar Idromenon në këtë “udhëtim”, që e çonte artin e shtatë, në kthina ku nuk kish shkelur më parë. Ai filloi të shfaqte filma në të gjithë bregdetin dalmat, ndërsa gadishulli ishte ngërthyer nga topat e gjylet. Ishin vitet 1913-1914 dhe Lufta Ballkanike kish përfshirë në një lëmsh të ri padrejtësish disa shtete. Shkodra jo vetëm që nuk ishte periferike në këtë luftë, përkundrazi. Qyteti ishte rrethuar dhe rreziqet për të qenë të qarta. Megjithatë, lufta nuk i ndali filmat, as festat. “Gruaja e konsullit Austriak tregonte se natën e Krishtlindjeve kur qyteti po bombardohej nga Mali i Zi, kur gjylet binin, qytetarët përgatiteshin të festonin. Qyteti bombardohej dhe ata festonin ritualin e Kshnellës gjatë pushtimit”.
Njëherësh, Idromeno shfaqte filma. Prej 1912—ës deri më 1917 ka të dhëna se ai i vijoi projeksionet. “Edhe me ardhjen e pushtuesit austro-hungarez, shfaqjet e filmit vazhdonin përsëri, madje pati një lloj gjallërimi. Kola shfaqte filma në shtëpinë e tij, ndërsa trupat ushtarake kishin hapur edhe disa mjedise te tjera”, thotë Denelli.
Qyteti i Kinemave  
Ndonëse Idromeno qe i pari dhe i shfaqi filmat në një hark kohor 4-5 vjeçar, në vitet e mëvonshme qyteti do kishte një “rrjet kinemash”. Në Shkodrën e viteve 1930, kinematë qenë disa. Qyteti kishte atëherë sipas të dhënave, sallonin e Kolegjit Saverian, ndërtuar më  me 450 vende, sallonin e Shkollës Françeskane me 300 vende, sallonin e Shkollës Stigmatine me 250-300 vende, sallonin e Shkollës së Parrucës (ndërtuar për kinema-teatër nga ushtritë austro-hungareze gjatë Luftës së I Botërore) me 400 vende, kinoteatrin “Rozafat” me 400-450 vende, sallonin e shoqërisë “Bogdani” me 350-400 vende dhe sallonin e shoqërisë “Vllaznia” me 400-450 vende. Shumëçka ndryshoi në vitet që erdhën më pas.
Muzeu i humbur
Në vitet 1980-1992 Gjergj Denelli si drejtues i Degës së Filmit të Shkodër çeli dy ekspozita për shfaqjen e filmit, ndërsa në nëntor 1987 përuroi muzeun e filmit. Aty ruheshin objekte të ndryshme, që kishin të bënin me shfaqjet e para të filmit, dokumente historike e letërkëmbime. “Të gjitha aparaturat e 5-6 aparate fotografikë më 1997 u morën dhe u shitën në Mal të Zi”, thotë Denelli, duke pohuar se kur iku nga muzeu në fillimin e viteve 1990, i la të gjitha aty, por u humbën gjatë 1997-ës dhe më pas gjatë luftës në Kosovë, kur muzeu shërbeu si strehë për të ikurit nga lufta./gsh.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *