Ismail Kadare i përgjigjet letrës së botuesit Henri Çili për hapjen e dosjes së tij gjatë komunizmit dhe tregon arsyet pse nuk e harron dhe nuk e fal denoncimin politik të Fatos Lubonjës për të gjatë gjyqit të të atit, Todi Lubonja.
“Në vend të një vrasje sado të thjeshtë ndërgjegjeje, siç ndodh në raste të tilla, ky njeri tregoi një dashakeqësi të papërfytyrueshme, shoqëruar me akuza makabre ndaj meje si shovinist shqiptaromadh, racist antiserb (gjuha serbe- një jevgë përballë zonjës së rëndë shqipe) e të tjera si këto”.
Shkrimtari i njohur i përgjigjet letrës së botuesit Henri Çili për hapjen e dosjes së tij gjatë komunizmit dhe tregon arsyet pse nuk e harron dhe nuk e fal denoncimin politik të Fatos Lubonjës siç e quan ai. Askush nuk mund të hiqet si naiv e të mos pranojë se jemi përpara një denoncimi të mirëfilltë politik, aq më tepër që ngjarja po ndodh në sfondin e zbulimit të “një grupi armiqësor në kulturë”.
Kadare në letrën e tij te botuar ne “Mapo” shprehet se ka diçka në këtë histori që as e harron dhe as nuk e fal: qëndrimin e Lubonjës pas rënies së komunizmit. “Në vend të një vrasje sado të thjeshtë ndërgjegjeje, siç ndodh në raste të tilla, ky njeri tregoi një dashakeqësi të papërfytyrueshme, shoqëruar me akuza makabre ndaj meje si shovinist shqiptaromadh, racist antiserb (gjuha serbe- një jevgë përballë zonjës së rëndë shqipe) e të tjera si këto.
Duke mos u mjaftuar me hapësirën shqiptare e duke abuzuar me statusin e tij si ish i burgosur politik, ai u përpoq t’i shpërndante këto shpifje në shtypin botëror, për ta dëmtuar sa më fort shkrimtarin në sytë e gjithë botës”, -thotë Kadare.
***
Përgjigje për zotin Henri Çili
Po ju përgjigjem për kërkesën tuaj drejtuar publikisht nëpërmjet shtypit, lidhur me një dosje hetimore zbuluar pjesërisht kohët e fundit, ku përmendet emri im. Ju shfaqni mendimin se do të ishte mirë që, i bazuar në ligjet e sotme, unë si shkrimtar, të kërkoja hapjen e kësaj dosjeje të fshehtë, për t’i dhënë mundësi shtypit shqiptar që, në kuadër të debatit për arkivat e fshehta të mund të merrej me të.
Të vërtetat e mbuluara të jetës letrare janë pjesë përbërëse e atij terri të përgjithshëm, për të cilin tirania e rrëzuar komuniste ka bërë çmos që të mos sqarohet asnjëherë. Nisur nga kjo, kërkesa juaj jo vetëm nuk më bezdis, por ju jam mirënjohës për të. Zbulimi i së vërtetës për diktaturën komuniste është i domosdoshëm sot, madje i vonuar.
Shumë vite më parë kam qenë një ndër të parët që e kam kërkuar publikisht një gjë të tillë, jo për vete, jo vetëm për shkrimtarët, por për gjithkënd. Për fat të keq, kërkesa përveçse nuk është dëgjuar, ka shkaktuar nervozizëm të dukshëm. Sot, pas më shumë se një çerek shekulli, ky lloj nervozizmi, arsyet e të cilit mund të merren me mend, vazhdon.
Dosja për të cilën ju flisni, duke patur në thelb një ngjarje disi të rrallë, rastin e familjes Lubonja at e bir, ku i biri ka bërë shkaktar të atin për “mendimet e gabuara”, që po e çonin drejt burgut, në një pamje të parë mund të duket si dramë brenda familjes, në të cilën e drejta për t’u përzier është vetvetiu e kufizuar. Ndërkaq në tekstin e hetuesisë, përveç dy personazheve, figuron një i tretë, shkrimtari I. Kadare, çka besoj se përbën edhe arsyen për të cilën më jeni drejtuar.
Shkrimtari Kadare përmendet në një kontekst krejtësisht dëmtues për të. E zezë mbi të bardhë deklarohet prej Fatos Lubonjës se i ati, Todi Lubonja, ai që ka shkaktuar çoroditjen politike të të birit, ndikohej shumë nga ky shkrimtar.
Askush nuk mund të hiqet si naiv e të mos pranojë se jemi përpara një denoncimi të mirëfilltë politik, aq më tepër që ngjarja po ndodh në sfondin e zbulimit të “një grupi armiqësor në kulturë”.
Ajo që më është dukur më shqetësuese në këtë histori, është një farë tolerance ndaj denoncimit dhe denoncuesve, që vihet re kohët e fundit, në raste si ky. S’kam qenë dhe s’jam aq i painformuar sa të kem besuar se mund të rrezikohesha nga “denoncime” kaq të thjeshta si ky, në krahasim me llahtarët që më kanë parë sytë, siç ka qenë dosja Ziçishti e vitit e 1982, e njohur dhe e botuar tashmë, ku akuzohesha si komplotist kundër shtetit.
Nga ana tjetër, e kam ditur dhe përfytyruar ferrin e hetuesisë komuniste, dhe të dyja këto kushtëzime do të kishin mjaftuar plotësisht për të mos ia kujtuar kurrë Lubonjës incidentin e dikurshëm. Ndërkaq më duhet të pohoj se ka diçka në këtë histori që as e harroj dhe as nuk e fal: qëndrimin e Lubonjës pas rënies së komunizmit.
Në vend të një vrasje sado të thjeshtë ndërgjegjeje, siç ndodh në raste të tilla, ky njeri tregoi një dashakeqësi të papërfytyrueshme, shoqëruar me akuza makabre ndaj meje si shovinist shqiptaromadh, racist anti-serb (gjuha serbe- një jevgë përballë zonjës së rëndë shqipe) e të tjera si këto. Duke mos u mjaftuar me hapësirën shqiptare e duke abuzuar me statusin e tij si ish i burgosur politik, ai u përpoq t’i shpërndante këto shpifje në shtypin botëror, për ta dëmtuar sa më fort shkrimtarin në sytë e gjithë botës.
Më lejoni që pa u zgjatur me këtë histori të shëmtuar, t’ju falenderoj edhe një herë për letrën tuaj. Ju bëj të ditur ndërkaq se unë e kam kërkuar që prej dy javësh hapjen e dosjes sime, pa vënë asnjë kusht e asnjë kufizim për asgjë.
Përshëndetje,
Ismail Kadare
Paris, 12 prill 2017