Kërkohet një artist në rezidencë

rezidenca

Kërkohet një artist në rezidencë! Ministria e Kulturës ka bërë thirrje të hapur për aplikim në kuadër të programit “Artist in Residence”, i cili bazohet në “Protokollin e Bashkëpunimit” të nënshkruar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe Landi i Salsburgut i Republikës Federale të Austrisë. Qëllimi i këtij Protokolli Bashkëpunimi është krijimi i kuadrit të përgjithshëm, në bazë të të cilit palët do të mbështesin shkëmbimin e artistëve, duke mundësuar udhëtimin dhe qëndrimin e një artisti shqiptar në Austri dhe të një artisti austriak në Shqipëri. Programi “Artist in Rezidence”, mirëpret artistin shqiptar në vitin e dytë të këtij bashkëpunimi të institucionalizuar, që do të synojë krijimin e hapësirave bashkëvepruese midis artistëve e rinj, në fushën e arteve pamore, si dhe shkëmbimin e eksperiencave të suksesshme mes vendeve respektive. Artisti i përzgjedhur do të marrë pjesë në programin “Artist in Rezidence” në Landin e Salsburgut, për një periudhë kohore 1 mujore, në muajin mars 2016. Pala Austriake ka tashmë gati vendin e akomodimit dhe studion e punës për artistin shqiptar në të ashtuquajturën “Banesa e Artistëve në Salzburg”, ndërsa Ministria e Kulturës merr përsipër mbulimin e kostove të qëndrimit të artistit shqiptar në Salsburg si dhe shpenzimet e udhëtimit ndërkombëtar. Gjatë kohës së rezidencës, përvec vendosjes së kontakteve profesionale, artisti do të ketë mundësi të hapë një ekspozitë në fund të rezidencës së tij. Data e fundit e aplikimeve është 6 shkurti ndërsa juria mblidhet në datat 8-9 shkurt 2016, për ta shpallur fituesin më 10 shkurt.  Në konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë artistë të rinj në fushën e arteve pamore nga mosha 25 – 40 vjeç. Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve do të realizojnë të gjithë procesin e realizimit të konkursit për përzgjedhjen e Artistit të Rezidencës në Austri. Të dhënat e nevojshme gjenden në kultura.gov.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *