Nga Aida Baro
Parmbrëmë kam parë një nga shfaqjet më të bukura që pas “Fernando Krafi më ka shkruar një letër“. Dhe nuk shkruaja dot më parë, sepse isha tërësisht nën efektin e dramës së Petter Shaffer-it “Equus”, nuk e kisha tretur e asimiluar siç duhet shkundullimën e emocioneve që më shkaktoi dhe as nuk vija dot rregull ne turbullirën e mendimeve ku më zhyti. E çuditshmja është që një prej cytjeve që më ngjalli shfaqja kishte të bënte me pyetjen që ia kam bërë vetes sa e sa herë “A jemi të lirë?“ “A ekziston realisht liria njerëzore“? Dhe kisha bërë paqe me veten, me idenë që jetojmë në një iluzion të madh lirie dhe për këtë nuk e di se ç’mund të bëjmë tjetër.
Por na shfaqet një djalosh 17-vjeçar me një tërheqje fatale për kuajt, që për mua është një alegori e hollë për dinjitetin dhe krenarinë njerëzore, që na tregon se mund ta përjetosh lirinë duke qenë jonormal, për të tjerët ama.
Një djalosh i rritur mes një nënë puritane, luajtur mjeshtërisht nga Ema Andrea, dhe një babai të frustruar seksualisht për shkak të puritanizmit të shoqes, përcjellë aq bukur nga Arben Derhemi, nuk mund veçse t’i bashkonte në një turbullimet e tij, hyjnizimin që i mëson e ëma ai e hedh mbi kuajt, që i shikon si Zota, të cilët mund t’i bëjë për vete dhe t’i kalërojë, pra të bëhet njësh me ta. Igli Zarka, aktori i ri që luan Alan Strangun, ka një ngjashmëri kurioze me Tadzion, personazhin sublim të filmit të Viscont-it “Morte a Venezia“, por tashmë duket se i ëmbli Tadzio, simboli i qashtërsisë dhe bukurisë klasike për Visconti-n, është rritur e ndërkryer.
Skenat nudo në fakt, nuk janë aspak vulgare, aty sheh një shpirt të prangosur, një Jezu Krisht përzier me David, që kërkon shëlbimin e madh. Jo më kot e lashë për në fund psikiatrin, luajtur nga Timo Flloko, sepse ai jemi ne, jemi ne „normalët“, që dashurojmë brenda rregullave, që sillemi brenda rregullave, që mendojmë brenda kornizave, që druhemi se ç’do të mendojnë të tjerët, që shkojmë një jetë të mekur, pa pasione dhe vrulle ndjesish dhe s’na mbetet veç të pyesim: “Po unë? Po unë?“ Bravo! Bravo! Bravo! Per te gjithe pa perjashtim! Dhe së fundi, meqë më shkon gjuha te profesioni im, një bravo të madhe për përkthyesin Artur Lena!