“Ndërkohë që Shqipëria bën llogaritë me të kaluarën komuniste, kritikët thonë se është shumë vonë”.
Ky është titulli i një shkrimi të gazetës NY Times, e cila trajton përpjekjet e Shqipërisë për të zbardhur të kaluarën e hidhur diktatoriale.
Në qendër të shkrimit janë përpjekjet e kësaj qeverie për të hapur dosjet e Sigurimit të Shtetit, përmes një komisioni të posaçëm.
“Kryeministri Edi Rama, 52 vjeç, thotë se kjo përpjekje, rezultat i një ligji të vitit 2015 të mbështetur prej tij, do të ndihmojë për të mbyllur dhe zvogëluar spekulimet nëse zyrtarët e sotëm kanë përfituar nga lidhjet e tyre me epokën komuniste. Por kritikët thonë se këto masa nuk kanë substancë dhe janë projektuar kryesisht për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë jashtë vendit. Ata vërejnë se shumica e dosjeve janë shkatërruar shumë kohë më parë, dhe se nuk ka një proces të qartë se si të trajtohen ish-bashkëpunëtorët”, shkruan gazeta.
Nikolin Kurti, nipi i At Shtjefën Kurtit, thotë për gazetën se Hajredin Fuga, njeriu që firmosi ekzekutimin e xhaxhait të tij, më vonë u bë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse këto dosje do ishin hapur në vitin 1992, ai nuk do ishte bërë gjykatës,” thotë Kurti.
Kurti mori vetë një buldozer dhe nisi të bënte gërmime pranë malit të Dajtit në vitin 2010, për të zbuluar trupin e xhaxhait.
Ai zbuloi 21 skelete, që u dërguan në zyrën e mjekësisë ligjore.
Kurti pagoi për analizën e ADN-së së një skeleti ku kishte dyshime, por nuk rezultoi të ishte xhaxhai i tij.
Dy vjet më vonë ai gjeti një dokument ku thuhej se trupi i xhaxhait i ishte dhënë universitetit mjekësor për autopsi nga studentët.
“Kjo duhej të ishte bërë 25 vjet më parë,” thotë Kurti.
Ndërkohë analisti Fatos Lubonja thotë për gazetën se ai nuk është optimist.
66-vjeçari thotë se nëse qeveria kërkon vërtet pajtim me të shkuarën, duhet të kishte ofruar amnisti për dëshmitarët ose edhe autorët e dhunës politike, në shkëmbim të informacioneve se ku janë varrosur trupat.
Sipas Lubonjës, të dy partitë kryesore në vend, PD dhe PS, kanë qenë të kompromentuara gjatë periudhës komuniste.
“Në vend që të përdornin dosjet si mjet për të zbardhur të vërtetën, ato i përdorën si armë shantazhi për të sulmuar kundërshtarët si bashkëpunëtorë. Kjo është një betejë mes bandash, që përdorin çdo armë në dispozicion kundër njëri-tjetrit,” tha Lubonja.
“Këto përpjekje mund të kënaqin qeveritë perëndimore, por një llogaridhënie e vërtetë duhet të vijë nga vetë shqiptarët. Në Perëndim, këto tema shihen si një shenjë se diçka pozitive po ndodh në vend. Turpi nuk duhet të na vijë nga jashtë. Duhet të vijë nga vetë populli ynë”, thekson Lubonja.