Ekspozohet pena e përdorur nga delegatët shqiptarë në Kuvendin e Vlorës

104-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë, në Muzeun Kombëtar ekspozohet pena e përdorur nga delegatët shqiptarë në Kuvendin e Vlorës

Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë solli ekspozitën “104-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”. Një objekt me vlerë i ekspozar këtë 28 Nëntor është dhe pena e përdorur nga delegatët shqiptarë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, për nënshkrimin e Aktit të Shpalljes së Pavararësisë së Shqipërisë.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi tha se: “Ndonëse është një objekt i vogël ajo ka një rëndësi mjaft të madhe për historinë e shqiptarëve. Pena ndodhet pranë Deklaratës së Pavarësisë, si simbol i përfundimit të etapës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe hapjes së një faqe të re në historinë e Shtetit Shqiptar”. Më pas në fjalën e tij në hapje të Ekspozitës Melsi Labi tha: “Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ajo ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerët e Evropës. Aktin e Shpalljes së Pavarësisë përmban këto fjalë: “Pas fjalëve që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me njëza vendosën që Shqipëria më sot të bëhet më vehte, e lirë e mos varme”. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar, e cila erdhi si rezultat i luftës për pavarësi kombëtare, me pushkë dhe me penë”.
Më pas Melsi Labi, për të pranishmit në çeljen e ekspozitës tha: “Po e mbyll me përkufizimin e flamurit kombëtar sipas të madhit Faik Konica, i cili ka edhe meritën e zbulimit të flamurit të Skëndërbeut. “Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. Cilat janë kujtimet që shfaq, duke valuar, Flamuri ynë Nuk janë kujtime lakmirash dhe rëmbimesh. Janë kujtime vetëmbrojtje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta që kanë lënë gjurmë në letërsinë e të gjithë popujve të qytetruar. Nga kjo pikpamje mund të mburremi se Flamuri ynë, siç është një nga më të vjetërit e botës, është edhe një nga më të drejtët”.
Ndërsa kryetari i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, Shpëtim Sala bëri një ekspoze të objekteve të paraqitura. Sipas tij në këtë ekspozitë pasqyrohet edhe kabineti i Qeverisë së Vlorës, i cili u miratua më 4 Dhjetor 1912. Në ekspozitë janë paraqitur edhe disa flamuj, të viteve 1909-1920.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 Nëntor në Hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *