Nga Entela Hoxha
“Ky farë robi ku ka fjetur mbrëmë, me kë? Kur është zgjuar, oda e qerpiçit mbante erën shpuese të egrasisë së hudhrës së vjetër që ka mbetur pa tretur në stomak. Nuk ka ngrënë gjë, por ka pirë ujin e ftohtë të pusit. I dhemb koka, është mahmur, sytë i ka gjak të kuq, por ja atje, te pusi, Ishja i sjell kafen e zezë, zeher, kupëzën me rakinë e rrushit të zier me ato dy duar.”(Tom Kuka, “Hide mbi Kalldrëm”, Botimet Pegi)
Tirana, Shkodra, Razma, Rruga e Dibrës, Rruga e Saraçëve, Selvia, çingijet, një grek, një turk, një shqiptar, një çifut, një arabe, histori femrash “robinja”, burra të kamur që shkojnë me meshkuj të njomëzak, a me vajza të njoma, që i mbajnë në shtëpi si shërbëtore të ditës e të natës, ndër krevate e nëpër dhoma, ndanë oxhaqeve… Robinja, të bardha a me ngjyrë, ku shfryhen epshe burrash mustaqedredhur- kjo Tiranë e zhytur në sekretet e veta për të cilat zien prap’ ballazi a nën zë. Pranë qëndrojnë festja e plisi, qeleshja, fraku, kapelja e republikës, aty është uzoja greke e kafja turke, aty është e folmja e Tiranës, por edhe ndonjë llaf prej Shkodre, diç thuhet për Lushnjen, por lexojmë edhe Kallnuerin e katundet e Tiranës, duke mësuar edhe pse u ça daullja e jevgut … … Personazhet janë të shumëllojshme, nisur nga Lumo Skëndo alias Mit’hat bej Frashëri, i cili vjen si vijon: “Mit’hat beu përshëndeti nga parmaku i katit të dytë. Burri rreth të pesëdhjetave, me tëmtha të zbardhur, nisi të zbriste shkallët pa u nxituar. Ballë Di Himës, qëndronte një burrë jo më shumë se 170cm i gjatë, i veshur me sqimë, thua se pas gjysmë ore niste opera në La Scala….. -Një trëndafil po rritet në kopështin tim dhe kam dëshirë ta selit. -Tash e kuptova pse nuk shkon më në rrugën e Dibrës. Pasi të nxëjë shkronjat, dhuroji Shehrezaden që të t’i tregojë mbrëmjeve rrëfimet e saj” .
Tirana na shpaloset me tonalitetet e një fotografie bardhezi, në të cilën, falë një rrëfimi mjeshtëror, ndiejmë kutërbimin e kanalizimeve në qiell të hapur, të djersës së mëditësve, të qenve që rrëmojnë rrugëve, por edhe erën e sapunit të rrobave, të gatimeve në shtëpitë përdhese dhe të frutave që rëndojnë në pemët e oborreve të tyre. Pluhuri i bardhë i allçisë dhe i rrugëve na mahis sytë dhe gëlimi i zhurmshëm i vegjëlisë në pazar na vret veshin.
E në këtë zallahi zërash e personazhesh, Di Hima, kryehetuesi i Tiranës, një burrë i mençur, me karakter tërheqës dhe ende i pamartuar, heton mbi vrasjen e Andon grekut, duke zbuluar një botë sekretesh e shantazhesh, nga e cila mund ta shpëtojë vetëm një dashuri e thjeshtë dhe e paqtë. Kemi mes kësaj lamie, emra që na sjellin veç përmes simboleve, imazhet e tyre, siç është Il’ qosja- pronari i shtëpisë publike ku bëhen pazare pranë një gote rakije, një gjysmë veze, pak wordpress kokrra ullinjsh, ku ofrohen masazhe me vajra lini e senapi që të çojnë në botë tjetër; kemi arixheshkën epshndjellëse Hasime a Rulën me Llambro konsullin- qymyri i zi që i ngroh zemrën të ardhurit vejan nga Paramithia; kemi Di Himën, kryehetuesin që i është marrë mendja nga Sadija erësapun që një ditë ia lanë në shtëpi dhe e shtiu në krevat, dhe i gjithë strumbullari sillet rreth Andon grekut- që vente në kërkim të rioshëve, që pëlqente djemtë njomëzakë, që i zgjidhte pranë një gote me uzo. Afendikoji vritet dhe në diellin përvëlues të Tiranës së kohës, bota merr vesh se greku i kish fshehur mirë këmbët, e ndërsa bota e dinte që donte gratë, atij i pëlqekërkeshin burrat. Mes tyre është edhe një çunak që i thonë “kurvë” që duke qenë krejt i paqartë për intimitetin, thotë se grekun e kish baba, por edhe pranon se pas vizitave të tij, ai nuk rrinte dot ulur me ditë. Tom Kuka, autori misterioz i Pegit, në “Hide mbi kalldrëm” ia del të sjellë një galeri personazhesh tërheqës që të joshin në një Tiranë të varfër, të mjerë e plot rrugina ku gjallon jeta e ku vegjëlia jeton strukur kthinave, e na shtëpitë përdhëse, ku dashuritë herë të pastra e herë të pista mbushin ditët, e kthehen në gëzime, ku jo çdokush di shkrim e këndim, por ku orienti e oksidenti bashkohen herë të Librat e Mit’hat beut e herë te florinjtë e Andon Grekut.
Po aty, turku, shqiptari kaur, greku orthodhoks, e ndonjë i kamur me post, pikëtakohen për të shpalosur një botë kaq të ndryshme e të ngjashme. Fjalët e përdorura nga autori, janë kaq të bukura e njëherësh kaq të vjetra: – me selitë- domethënë me u kultivue, me u kulturue; e po aty gjejmë ato fjalë kaq kohë të dalajashtë të folmes së përditshme si afendikoji, zotni, hanëmja, shegerti, myshterinj a hirnore- jo pse nuk janë më, po se na duhet ti kërkojmë veçse në libra, e në artikuj të 1900-ës për ti kënduar a për ti leçitur si këtu, në një libër që përtej të shkruarit nga një autor misterioz që është një person publik i maskuar si Tom Kuka, është një rrëfenjë-thesar për Tiranën e shtëpive me çerpiç, në kohët e parambretërisë./Pasqyre.al