Roskoveci: Mbijetesa dy mijëvjeçare e “qytetit stacion”

Njësoj si në antikitet dhe në kohët e tjera, Roskoveci, vijon të mbetet një “qytet stacion” përgjatë rrugës automobilistike Fier-Berat. Dikur aty kanë kaluar mjetet e thjeshta të transportit të tërhequra nga kafshët, ndërsa sot në të njëjtin itinerar lëvizin mjetet motorike nga më të ndryshmet, të cilat transportojnë mallra dhe udhëtarë. Ja se si e përshkruan gjatë udhëtimit të tij në rajonin tonë në 21-24 gusht të vitit 1889, Gustav Vaigand, i cili për qëllime studimore kaloi  përgjatë rrugës nga Berati drejt Fierit

Nga Ilirjan Gjika

Ndoshta ai është edhe sot një nga vendbanimet e pakta që ia dedikojnë mbijetesën “arterieve” rrugore të komunikimit. Njësoj si në antikitet dhe në kohët e tjera, Roskoveci, vijon të mbetet një “qytet stacion” përgjatë rrugës automobilistike Fier-Berat. Dikur aty kanë kaluar mjetet e thjeshta të transportit të tërhequra nga kafshët, ndërsa sot në të njëjtin itinerar lëvizin mjetet motorike nga më të ndryshmet, të cilat transportojnë mallra dhe udhëtarë. Ja se si e përshkruan gjatë udhëtimit të tij në rajonin tonë në 21-24 gusht të vitit 1889, Gustav Vaigand, i cili për qëllime studimore kaloi  përgjatë rrugës nga Berati drejt Fierit: “…Hymë në fshatin Pobrat, i cili shtrihej pranë një fushe dhe afër drekës ishim në fshatin Roskovec, që i thonë dhe Frashër. Kishte shumë bujtës, pasi këtu bënin pushim udhëtarët që shkonin në Vlorë dhe Berat… (Gustav Vaigant, Die Aromunen, J. A. Barth, Laipsig 1894, botimi greqisht, shqipëruar nga Bujar Muçaj).

E çuditshme është, por edhe sot kjo rrugë ndjek pak a shumë trasenë e dikurshme të degës jugore të rrugës Egnatia. Një gjë e tillë ka ndodhur për një arsye të thjeshtë. Në vitet 1927-1929, kohë kur u ndërtua përfundimisht rruga Fier-Berat. Duhet theksuar se morfologjia e terrenit nuk kishte pësuar ndonjë ndryshim të madh ku baseni i kënetave që shtriheshin nga Sheqi në perëndim e deri në Strum në lindje, kishte mbetur i paprekur. Kështu që me mjetet teknike dhe në kushtet e kohës ndërtuesit u detyruan të shfrytëzonin përsëri trasenë e vjetër, mbi të cilën kishin vënë dorë të parët austro-hungarezët, të cilët në vitin 1916 ndërtuan për nevojat e ushtrisë së tyre trasenë e re të rrugës automobilistike duke iu bazuar me fare pak ndryshime të njëjtës “linjë” të Egnatias.

Por cila ishte rruga antike Egnatia që lidhte Perëndimin me Lindjen? Duhet theksuar se udhëtimi që niste nga Roma, nëpërmjet rrugës Apia, përfundonte në Brindizi e që këtu vijonte me anije për në Apoloni ose Dyrrah, për të shkuar më tej drejt Kostandinopolisit.

Straboni, te Gjeografia e tij na bën këtë përshkrim: “Që nga Apolonia fillon rruga Egnatia, kjo rrugë është e matur me milje dhe e shënuar me shtylla. Ata që nisen nga Apolonia dhe Epidamni takohen në një pikë të rrugës që ka largësi të njëjtë nga këto qytete” (Straboni, Geographica, VII, 4). Për rëndësinë e kësaj rruge “flasin” edhe disa harta rrugore që njihen me emrat “itineraret” romake të udhëtimit. Të tillë janë itineraret e Antoninit dhe Burdigalës, ose i quajtur ndryshe Hierosimilitan. Ata shërbenin për të dhënë informacione të vlefshme për rrugët, distancat, qytetet dhe stacionet për udhëtarët dhe nëpunësit perandorakë që udhëtonin për shërbime pune.

Itinerari Antonin është kopje e vonë dhe nuk është ruajtur në origjinal. Edhe gjatësia e trasesë së tij është më e shkurtër se ajo e itinerarit Hierosomilitan, i cili është i ruajtur në origjinal. Ai është hartuar nga një murg anonim, i cili gjatë vitit 333 udhëtoi nga qyteti Bordo i Galisë (Francës), për pelegrinazh drejt Jeruzalemit. Gjatë rrugës murgu shënoi të gjitha distancat e udhëtimin që përshkoi duke përshkruar gjithçka me saktësi dhe hollësi. Duke iu bazuar këtij itinerari shohim se duke dalë nga qyteti i Apolonisë, dega jugore e Egnatias kalonte në këto stacione: civita-Apolonia me distancë të shënuar në milje, XVIII, mutatio (stacioni i kuajve) Stefanaphana, me distancën në milje, XII, mansio (hani) Absos, me distancën prej XIV miljesh, mansio Marusia, me distancën prej XIII miljesh dhe mansio Klodiana, që mbante shifrën e largësisë në terren prej XV miljesh (Grup autorësh, Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Itinerarum Burdigalense (Cunz. IR. f, 99-100), Tiranë 1965, f. 319).

Në këtë periudhë të antikitetit rrugët ishin të shtruara me kalldrëm, të pajisura me gurë që tregonin miljet, stacione për ndërrimin e kuajve dhe bujtina (hane) për të kaluar natën. Nga zbulimet arkeologjike dhe studimet historike, sot, është përcaktuar në terren traseja që ndiqte dega jugore e Egnatias, e cila pasi dilte nga pjesa lindore e qytetit të Apolonisë kalonte në Radostinë, Fierin e sotëm, Mbyet, Grizë, Verbas, Novoselë, dilte në Roskovec (Stefanafana), kalonte Semanin (Apsin) në urën e sotme të Kuçit (mansio Absos) dhe mbërrinte në kishën e Golemit në Lushnjë, (mansio-Marusia), për të shkuar më pas përmes Darsisë dhe Dumresë drejt Peqinit (Klodiana), ku kalonte Shkumbinin në urën e Topçiasit. Në Klodianën antike, Peqinin e sotëm kjo degë takohej me degën veriore të Egnatias që vinte nga Dyrrahu.

Një itinerar të tillë e zbuloi gjatë viteve të Luftës së parë Botërore, arkeologu austriak Kamilo Prashniker duke dokumentuar në terren gjurmët që ruheshin prej kalldrëmit të saj. Biles në fshatin Grizë ai zbuloi një pjesë të trasesë së paprekur të saj. I tillë ishte një trakt rruge ku traseja përbëhej nga tre shtresa, prej 6.7 m gjerësi, të cilat përbëheshin nga kalldrëm, zall dhe çakëll i hollë (Jovan Adami, Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri, Sh. B. “8 Nëntori”, Tiranë 1983).

Ndërkohë që duke kërkuar në terren nga Apolonia e deri në urën e Kuçit, gjurmët e degës jugore të rrugës Egnatia, Kamilo Prashniker, kreu edhe studimin e parë arkeologjik për Roskovecin. Në shënimet e tij që gjenden në librin “Myzeqeja dhe Mallakastra”, të botuar në Vjenë në vitin 1920, ai bën edhe këtë përshkrim pranë të njëjtit vend ku gjeti traktin e paprekur të rrugës antike: “… rruga i shmanget këtij moçali duke bërë një kthesë në formë harku drejt jugut deri në Novoselë. Aty e humb përsëri gjurmët e saj për të gjetur përsëri trasenë të ngritur vetëm pranë Kumanit, ngjitur me bregun e djathtë të përroit të Allambrezit. Prapëseprapë mbi vijën e ndjekur prej saj nuk ka asnjë dyshim. Ajo ka ndjekur rrugën e sotshme nëpër qafën e përdorur akoma edhe sot, shkon në vijë të drejtë deri te Hani i Roskovecit. Te hani arrijmë në bazë të numrit të miljeve stacionin (mutation) Stephanaphana”. Camillo Praschniker, Myzeqeja dhe Mallakastra (përkthim), Instituti Austriak i Arkeologjisë, Alfred Holder, Vjenë 1920, f. 98-99.

Çuditërisht distancat e matura në milje në terren nga Apolonia te Hani i Roskovecit dhe Ura e Kuçit korrespondonin me të njëjtin numër miljesh që jepte edhe Itinerari Hisrosomilitan

(i Burdigalës) lidhur me Apoloninë dhe stacionet e Stafanaphanës dhe Absos. Po kështu hipotezën e Prashnikërit se Stefanaphana është Roskoveci e plotëson edhe një e dhënë që na vjen nga terreni. Edhe sot në hyrje të qytetit të Roskovecit ruhet emri i një qafe të vogël në të cilën kalon rruga që vjen nga Fieri. Pikërisht në këtë vend ajo bën një kthesë të fortë dhe futet në Kuman në hyrje të Roskovecit. E njohur si Qafa e Stefanit, ajo përbën një tjetër fakt që vërteton tashmë këtë tezë.

Duke u bazuar në këtë studim të Prashnikerit dhe toponiminë e mësipërme, sot mund të themi me siguri se Stefanaphana nuk është gjë tjetër veçse Roskoveci i sotëm. Pra, ky vendbanim siç e vërtetojnë edhe burimet e tjera historike është banuar pa ndërprerje që nga antikiteti e deri më sot duke ruajtur profilin e tij si nyje e rëndësishme komunikimi.

Dhe nëse problemi i emërtimit mund të konsiderohet i zgjidhur tashmë, lind me të drejtë pyetja, se ç’moshë ka sot Roskoveci?!

Ndryshe nga argumentimi i emrit në këtë rast përgjigja është e thjeshtë. Për këtë mund të bëjmë një analizë të shkurtër. Nëse rruga Egnatia përmendet për herë të parë në histori nga Polibi (Historia, Lib I, 10) në vitin 120 p. k., këtë datë e marrim si të mirëqenë edhe të ekzistencës së Stefanaphanës si stacion rrugor të saj. Kështu Roskoveci nuk është gjë tjetër veçse një vendbanim me një moshë prej më se 2120 vjetësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *