Në datat 24 – 28 tetor 2016 do të mbahen në Shqipëri DITET E KUJTESËS, një aktivitet që vjen për herë të parë, me iniciativë dhe organizim të Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacionit Gjerman Konrad Adenauer (KAS). Nën moton “Kujtesa si mision”, përgjatë një jave, mbi 60 ekspertë nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë, Gjermanisë, Polonisë, Rumanisë, Çekisë, Lituanisë, Bosnje/Hercegovinës dhe Kosovës do të diskutojnë mbi perspektivat aktuale të rishikimit të historisë dhe të diktaturës komuniste.
Në fokus të veçantë do të jetë kurrikula shkollore (25 tetor) dhe zhvillimi i saj në vendet postkomuniste pas 1990-ës. Ekspertë nga Europa Qendrore dhe Lindore do të sjellin përvojën e tyre në rishkrimin e teksteve të historisë, dhe do të ballafaqohen me situatën aktuale të kurrikulës në Shqipëri. Zhvillimet më të fundit në kurrikul do të prezantohen nga zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, nga përfaqësues të IZHA, pa munguar edhe ndërhyrja e grupeve të interesit, historianë, përfaqësues të Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutit për Integrimin e ish të Përndjekurve Politikë etj.
Nisma DITËT E KUJTESËS synon gjithashtu të ndërtojë një axhendë të përbashkët me aktorët e ndryshëm që veprojnë në fushën e kujtesës. Për këtë arsye, rreth 25 iniciativa, institucione private dhe shtetërore brenda dhe jashtë vendit do të evidentojnë para një publiku të gjerë punën dhe projektet e tyre në këtë fushë. Ballafaqimi me të shkuarën do të kulmojë me aktivitetin për hapjen e dosjeve të SIGURIMIT (28 tetor), një proces i vonuar që ka pasoja për të ardhmen. Përveç përfaqësuesve shqiptarë do të ofrojnë ekspertizën e tyre ish-komisionerja për dosjet e STASI-it znj. Hildigund Neubert,si dhe specialistë të tjerë gjermanë.
Surpriza e këtij aktiviteti është përfshirja masive e të rinjve dhe projekteve që ata kanë realizuar në mënyrë individuale dhe në grup, mbi tema të ndryshme si përditshmëria para 1990-ës, përndjekja e klerit katolik në Mirditë, vendet e kujtesës etj. Në kuadër të këtij aktiviteti do të shpallen dhe fituesit e konkursit kombëtar “PYET GJYSHËRIT” për punimet më të mira në fushën e Multimediaës. Ky konkurs u shpall më 18 Maj 2016 dhe synonte përballjen e brezave, në mënyrë që kujtesa të mos shuhet. Qëndrim i të rinjve shqiptarë ndaj diktaturës, do të trajtohet gjithashtu në një panel të veçantë me iniciativë të OSBE dhe RTSH (25tetor).
Si aktivitete kulturore gjatë DITËVE TË KUJTESËS vlen të përmendim premierën e dokumentarit “Fëmijët e diktaturës” me regji nga Besnik Bisha (24 tetor), një prodhim i IDMC. Në qendër të tij janë 4 personazhe të lindur dhe rritur në kampet e internimit. Po ashtu dhe ekspozitat me akses të lirë: “Lufta e Ftohtë: Shkaqet, historiku, Pasojat” në bashkëpunim me Fondacionin Federal për Studimin e Krimeve te Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore; “Muzeu i Kujtesës” një projekt lëvizës i Institutit të Studimeve Politike si dhe miniekspozita e fotografit të njohur Antonio Fantasia
“A night of a Regime”.