Nën magjepsjen e objekteve të trashëgimisë kulturore me vlera unike të Gjirokastrës, pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO, artizanë dhe profesionistë të muzeve nga Shqipëria dhe Greqia janë bashkuar në trajnimin ndër-kufitar me titull: “Mënyrat kreative për Përmirësimin e Aksesit në Muze”.
Trajnimi, që nisi në datën 17 dhe mbyllet në datën 23 tetor, trajton tema të rëndësishme në lidhje me qasjen në muze dhe institucione të tjera kulturore për të gjithë anëtarët e komunitetit. Falë përkushtimit të Etleva Demollarit nga Muzeu Historik Kombëtar, ekspertes ndërkombëtare të muzeologjisë Dr. Diana Walters, pedagoges së Universitetit të Janinës Dr. Esther Solomon dhe ekspertit grek për dëmtimet e të parit dhe të mësuarit, Panagiotis Giotis, pjesëmarrësit u trajnuan mbi qasjet e ndryshme për përmirësimin e aksesit në muze. Ata mësuan si të vënë në zbatim dije bazike mbi heqjen e barrierave në muze dhe trashëgimi.
Për Jonathan Eaton, koordinator i projekteve në Trashëgiminë Kulturore pa Kufij – Shqipëri, qasja në jetën kulturore, përfshirë muzetë, është një temë shumë e ndjeshme në mbarë botën, dhe në thelb një çështje e të drejtave të njeriut”. “Po ashtu, artizanët dhe profesionistët e muzeve, kanë shumë pak mundësi të bëhen bashkë, pavarësisht se kanë shumë gjëra për të ndarë me njëri-tjetrin”, thekson ai. Eaton nuk e fsheh kënaqësinë që pjesëmarrësit po shfrytëzojnë cilësitë e gjithësecilit për ekspozita muzeale më të aksesueshme dhe emocionuese për njerëzit me nevoja të veçanta.
I pyetur për planet për të ardhmen ai shprehet se tashmë e kanë hedhur hapin e parë për të ndërtuar lidhjen mes artizanëve dhe muzeve. “Trajnimet e ardhshme do të shkojnë më tej në këtë drejtim. Ne do të vazhdojmë punën me grupin e aksesit brenda Rrjetit të Muzeve të Ballkanit si dhe do të rrekemi të krijojmë lidhje të reja me njerëz me nevoja të veçanta apo organizata që i mbështesin ata në rajone të tjera të Ballkanit”.
Aida Vežić, Sekretare e Përgjithshme e Rrjetit të Muzeve të Ballkanit, nënvizoi se ky trajnim një javor ndihmon pjesëmarrësit nga Rajoni i Gjirokastrës dhe Janinës të kuptojnë më mirë qasjen në muze. “Temat e trajtuara mbi: të kuptuarit sesi muzetë e zhvillojnë rolin edukativ në shoqëri, të zhvilluarit e disa metodologjive dhe mjeteve për të lehtësuar aksesin në muze, e të tjera si këto u erdhën në ndihmë pjesëmarrësve për të fuqizuar aftësitë praktike për t’i bërë muzetë më të hapur”, u shpreh ajo.
Trajnimi përfshiu edhe punë praktike të projektimit dhe zhvillimit të materialeve interpretuese, përfshirë setin edukativ “Muzeu në një valixhe”. Puna e këtij seti bazohet në shqisën e të ndjerit dhe të prekurit me synimin për t’i bërë muzetë më mikpritës për njerëzit me nevoja të veçanta.
Për Arjeta Kokalari-Cekën, që në trajnim përfaqëson Shoqatën e sapothemeluar “Musine Kokalari”, “këto eksperienca ndihmojnë në kultivimin e ideve për të bërë më të mirën për Muzetë.” “Ne shpresojmë që të përmirësojmë sa më shumë aksesin në Muzetë tanë. Duhet të punojmë veçanërisht me brezin e ri. Po ashtu edhe të rritim ndërgjegjësimin që grupe të caktuara, siç janë ish-të përndjekurit, të përfaqësohen më shumë në muzeologji”.
“Mënyrat kreative për përmirësimin e aksesit në Muze” është një organizim i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij – Shqipëri dhe Rrjetit të Muzeve të Ballkanit. Trajnimi është pjesë e projektit tri vjeçar mbi gjithëpërfshirjen dhe rritjen e kapaciteteve në trashëgimi në Ballkanin Perëndimor dhe financohet nga Fondacioni Stavros Niarchos.