Mirëmbajtja e trashëgimisë është një nga sfidat e çdo vendi për të përçuar kulturën e saj tek brezat e ardhshëm. Pasqyre.al sjell këto histori të disa mjeshtrave shqiptarë, të cilët aktualisht punojnë në Kampet Rajonale të Restaurimit në Berat.
Vladimir Poçi, mjeshtër i drurit në Kampin e 30-të Rajonal të Restaurimit në Berat
Sapo kisha përfunduar klasën e tetë. Isha i shkëlqyer me mësime, por ishim shtatë fëmijë e kishim nevojë të ushqeheshim. Ndaj, bashkë me familjen, vendosa të nis punën në kombinat. Kisha një dobësi për muzikën. Me telat e telefonave të ushtrisë (tela çeliku shumë të fortë) bëra çiftelinë e parë. E deshi rastësia që po për dy tela të filloj të mësoj trombonën. Shkova të regjistrohesha për kitarë, por kitarës së qendrës kulturore i mungonin dy tela, kështu që meqë i kisha buzët e trasha më thanë “kalo për trombonë”. Është ajo gjëja që i bie Pitkini. Pavarësisht se vonë, nisa shkollën profesionale të natës. Shumë shpejt m’u desh ta lija përgjysmë se më thirrën ushtar. Sërish nuk hoqa dorë nga zdrukthtaria dhe shkova në një kurs 5 mujor në Tiranë. Isha i vetmi që isha i martuar. Dalëngadalë nga banka e fundit, arrita të dal tek e para. Ndërkohë, në Berat u bëra pjesë e bandës së qytetit, por edhe e orkestrës simfonike, që në raste festash mbante koncerte nën dirigjimin e Ferdinand Dedës. Që nga viti 1968 e deri më sot i bëj me sukses të dyja. Kam fituar çmime me bandën, më kanë rrahur shpatullat për çdo punë me dru-gdhëndje. Nuk ka ndonjë recetë. Suksesi kërkon tri gjera: punë, shumë punë dhe shumë shumë punë!”
Lili Garuli, mjeshtër i çative në Kampin Rajonal Berat
“Isha 15 vjeç kur nisa Shkollën Teknike për muratori në Kuçovë. Vetëm 17 vjeç kur u diplomova si murator i Kategorisë së Pestë. Do thoni ju, po si është e mundur? Po sepse atë që bënim sot në teori, të nesërmen e praktikonim. Pas shkollës nisa punë në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimit (NSHN Berat) ku punova deri në vitin 1993. Po këtë vit meritova Kategorinë e Shtatë (më e larta). Domosdo, aty i bëja të gjitha: muraturë, soletë, suvatim, shtrim. Paskëtaj profesor Ajet Nallbani më mori në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare. Që nga ajo ditë e deri sot, 56 vjeç, vazhdoj të punoj me monumentet e kulturës. Kam qenë në Grabovë të Gramshit ku rregulluam urën që ishte rrëzuar. Kishën e Himarës që ish djegur, nga hiri e ngritëm në këmbë. Kam punuar në Kishën e Perohndisë, por kam restauruar edhe shtëpinë e Frashërinjve në Përmet. Sa për shtëpitë e Beratit, ato i njoh një për një, me sy mbyllur. Ka pasur raste kur shtëpitë kanë qenë të braktisura (ah emigracioni) dhe kemi hyrë u kemi ndërruar trarët. Kam dy djem si drita. I kam rritur me mistri e sqepar. Më i vogli mbaroi studimet dhe iku në Amerikë. Shoku im i punës është dy vjet më i madh. Jam i shqetësuar se brezi i ri po largohet nga mjeshtëritë. Më dhimbsen muzetë, shtëpitë, kishat, xhamitë e teqetë… U di dhe ku u pikon çatia.
Rasim Shuka, mjeshtër në Kampin e 30 Rajonal të Restaurimit
Në vitin 1976 kam filluar të punoj në Atelienë e Beratit (sot Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare). Asokohe ishim të ndarë në tri njësi: Goricë, Mangalem, Kala si dhe një njësi ndihmëse. Në total bëheshim mbi 100 vetë. Nevoja na mësoi t’i bënim të gjitha: suva, çatma, dysheme e çati. Dua të përmend këtu edhe peretkat. Qejfi ma ka të më thonë mjeshtër çatie. Kam punuar në Berat, Vlorë, Skrapar, Përmet etj. Ndërhyrjet kanë qenë në objekte kulti, ura etj. Një nga ndërhyrjet më të vështira që mbaj mend ka qenë ajo në Urën e Kasabashit në Skrapar. Po ashtu kam marrë pjesë në mbulimin e Kishës së Shën Triadhës. Fillimi edhe për mua ka qenë i vështirë, por me kalimin e kohës puna kthehej në një kënaqësi të madhe. Pjesëmarrësit në Kampin e Restaurimit në Berat e kanë dëshirën për të nxënë. Kanë kuriozitet për t’u vlerësuar. U kam mësuar të kenë dëshirë e ambicje e të mos i thonë jo punës”.
Xhoxhi Fani, mjeshtër i gurit në Kampin e 30-të të Restaurimit në Berat
“Që nga viti 1973 gdhend gurin. Asnjëherë nuk jam shkëputur nga monumentet. Kam punuar në objekte të Kategorisë I, kisha e xhami, në Berat, Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Fier, Shkodër e Tiranë. Në vitin 1980 mora titullin “Mjeshtër” nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Isha vetëm 22-23 vjeç. Post vitet ‘90 më gjetën në emigracion. Edhe andej lamë gjurmët tona. Më pas vendosa të vij prapë dhe punova në kthimin e 5 shtëpive të Beratit në hotele. Kudo e kam ruajtur të vjetrën me fanatizëm. Qoftë dhe një gozhdë. Kam qenë me fat që kam bashkëpunuar me profesorët Emin Riza e Pirro Thomo. “Xhoxhi është arkitekt i lindur”, më thoshin. Kurse më të rinjtë më thërrisnin “presor”. Në 40 vjet punë e kam kaluar gur-gdhendjen në art. Marr pjesë në ekspozita artistike me portrete, relieve a dekore florale. Kam bërë dhe dy çezma për qytetin e Beratit. E para është një nuse me shtamë, kurse tjetra një kokë luani. Një nga gjërat që më ka lënë mbresa ka qenë paktika me nxënësit nga klasa e pestë deri në të tetën, që bëhej përpara viteve ‘90. E kam vazhduar këtë praktikë për 12 vjet. Nga nxënësit e mi pati që u bënë muratorë, piktorë etj. Ah çfarë djemsh! Unë jam brezi i fundit që punoj gurin me dorë. Industria ka ecur përpara, por asnjëherë nuk e arrin mjeshtërinë e dorës. Lumturohem shumë kur realizoj një punë, se e shoh si diçka që do t’i përkasë së ardhmes”.