Me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Trashëgimisë” dhe “Ditëve Evropiane tё Trashëgimisë Kulturore”, në disa nga qytetet kryesore të vendit janë parashikuar një sërë aktivitetesh, që kthejnë vëmendjen nga vlerat dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore.
Në këtë frymë Qendra Kombëtare e Muzeve Berat hap nё ambientet e Muzeut Historik Lushnje ekspozitën, “Muzeu Lëvizës” e cila do të qëndrojë e hapur dhe në dy javët në vazhdim. Ekspozita përmban imazhe nga fondi i Muzeut Etnografik dhe Muzeut Onufri.
Nёpёrmjet kёsaj ekspozitë synohet që koleksioni tё bёhёt mё i njohur pёr njё publik mё tё gjerё , pёr tё bёrë njё lidhje mё domethёnёse me objektin, nё tё njёjtёn kohё duke kontribuar nё forcimin e identitetit tё muzeut. Si dhe tё krijoj njё rrjet aktiv bashkëpunimi me muzetё e tjera brenda dhe jashtё vendit, duke shkëmbyer eksperienca, duke promovuar kulturën, duke bashkëvepruar dhe shpërndar informacion.
Gjithashtu në data 29 shtator, Qendra Kombëtare e Muzeve Berat sjell “Takim me Traditën” në muzeun Etnografik nëpërmjet dokumentarit “Arti në kulinarinë Ilire, Berati” të studjuesit Ahmet Dursun e regjisorit Benet Nelku si dhe gatimeve të mjeshtrit të kuzhines Josif Miho.
Përmes këtij eventi publiku do të ketë mundësinë të njihet me traditën e hershme dhe shumë të njohur të artit të kulinarisë së qytetit të Beratit, si dhe do të përgatiten dhe serviren gatime të një vakti tradicional, të kuzhinës së familjes beratase.