Teknologjia në shërbim të trashëgimisë, Holanda ekspertizë Shqipërisë në përdorimin e pajisjeve dixhitale

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila ka qenë e pranishme në Amsterdam në çeljen e ekspozitës Dinastia Marubi- 100 vite të studios fotografike shqiptare, ka mbajtur një takim të veçantë me homologen e saj holandeze, Ministren e Edukimit, Kulturës dhe Shkencës, znj. Jet Bussemaker.
Dy ministret shkëmbyen mes tyre eksperiencat e secilit vend mbi barazinë gjinore, pjesëmarrjen e grave në ekonomi, politikë dhe kulturë. Më pas dy ministret u ndalën konkretisht tek kultura dhe projektet e përbashkëta që mund të realizohen mes dy vendeve.
Ministrja Bussemaker mbështeti idenë se Holanda mund të japë ekspertizën e saj sipas nevojave dhe veçorive të vendit tonë. Ajo tregoi sesi “Holanda është pararendëse në përdorimin e pajisjeve dixhitale në mënyrë që brezi i ri të njohë kulturën, duke aplikuar dhe promovuar aplikacione të zhvilluara nga studentët që shohin virtualisht shtëpitë tradicionale holandeze, kur turistët bëjnë shëtitje me varkë. Ky integrim i teknologjisë afron më tepër njerëzit dhe e bën më të thjeshtë njohjen e së kaluarës dhe trashëgimisë”.
Më tej Znj. Jet Bussemaker u shpreh se një praktikë e mirë që mund të ndahet me Shqipërinë është krijimi i mundësisë për të vizituar virtualisht muzetë, një mënyrë ku vizitori mund të ndërveprojë me veprën e artit. Ministrja Bussemaker ndau përvojën e Muzeut Kombëtar të Holandës, ndërsa ministrja Kumbaro shprehu interes të lartë për integrimin e këtyre risive edhe në Shqipëri.
Në bisedën me homologen holandeze, ministrja Kumbaro u ndal tek energjitë artistike dhe pasurinë e madhe të brezit të wordpress ri, të talenteve të reja shqiptare dhe vullnetin e qeverisë për të promovuar Shqipërinë, kulturën shqiptare dhe talentin shqiptar në Holandë.
Më tej Kumbaro foli për takimin me Drejtoren e Muzeut të Artit Modern të Amsterdamit, Beatrix Ruff dhe inicimit të një projekti të përbashkët për ekspozitë të talentit shqiptar dhe shkëmbime të tjera kulturore. Kumbaro u ndal edhe tek projekti i shkëmbimeve për Teatrin e Operas dhe Baletit, në koreografi, shkollë për trajnimin dhe edukimin e balerinëve, që u diskutua gjatë takimit të ministres me drejtoreshën së Teatrit të Operas dhe Baletit, Els van der Plas.
Një mundësi e mirë për të nisur bashkëpunimin konkret mes dy vendeve është përmes projektit Dutch Culture (që financohet nga MPJ e Holandës), i cili ka qëllim që çdo politikë kulturore kombëtare ta lidhë me një politikë holandeze ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *