Drejtoria Rajonale e Kulturës në Berat u ka kërkuar ndjesë banorëve për sa i takon kalldrëme të hapura në Mangalem e më pas ka sqaruar arsyet.
“Së pari kërkojmë ndjesë banorëve, vizitorëve, bizneseve në lagjen Mangalem për shqetësimin që ju kemi sjellë në lidhje me kalldrëmet e hapura për vendosjen e linjave të reja të ujësjellësit në këtë lagje historike”, thotë DRKK – Berat. Ajo sqaron se me dy specialistë që asistojnë në mbikqyrjen e kryerjes së punimeve të kalldrëmeve, është përpjekur të kontrollojë me shumë imtësi dhe rigorozitet cilësinë e punimeve dhe shpejtësinë e realizimit të tyre. “Në krahasim me pjesë të tjera të qytetit, në këtë zonë është punuar shumë shpejt dhe mund të themi që në cilësinë e mbikqyrjes së punimeve për pjesën teknike të restaurimit të kalldrëmeve në ato pjesë ku ato janë prekur, rezultatet kanë qenë pozitive dhe mirëkuptimi me qytetarët ishte maksimal. Sot jemi në pothuaj 80 – 85 % të punimeve dhe brenda afateve të paracaktuara. Së shpejti do të vendosen hidrantet dhe kasetat e aparatëve matës….”, e mbyll reagimin DRKK- Berat.