1943/ Batalioni i ushtarëve italianë që luftoi përkrah partizanëve

Pas kapitullimit të Italisë fashiste (8 shtator 1943) rreth 15.000 ushtarë italianë, shumica efektivë të divizionit Firence iu përgjigjën thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSh për luftë kundër nazistëve gjermanë. Nga këta, rreth 1500 veta u inkuadruan në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, pjesa tjetër u shpërnda në zonat e lira dhe u vu nën përkujdesjen e këshillave nacionalçlirimtare dhe të popullsisë civile. Siç kujton Muzeu Historik Kombëtar, me një pjesë të ushtarëve italianë (në fillim ishin 170 veta e më pas numri u rrit në 300) u krijua batalioni “Antonio Gramshi”. Emri i batalionit u zgjodh në nderim të themeluesit të Partisë Komuniste Italiane me origjinë arbëreshe, i cili vdiq në burg më 1937, i dënuar e i persekutuar nga autoritetet fashiste. Batalioni “Antonio Gramshi” mori pjesë në luftë deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *