Nga Artur Zheji
Libri më i fundit i Ben Blushit, që përfundon me vrasjen e kryeministrit, si një zgjidhje deus ex machina, për të larguar nga fusha e betejës politike rivalin, është pak të themi e zymtë.
Nëse partia e re, LIBRA dhe themeluesi i saj, që ka dashur të përkojë daljen në dritë të partisë së re dhe të librit të ri, pothuajse në të njejtën kohë, ka këtë zymtësi në kokë dhe në zemër, duket një fillim i mbrapshtë. Sepse vrasjet politike, nuk janë një zgjidhje, por një spirale, ku zhytet pikërisht MosZgjidhja e çdo problemi.
Blushi shkrimtar dhe Blushi politikan, janë gërshetuar në një fantazi gri, ku mllefi dhe zemërata, por dhe ndjesia e rëndë e pafuqisë përballë kundërshtarit në pushtet, janë bërë një e vetme.
Kjo përbën një jo premisë besueshmërie, për një parti ku lideri i saj, ka një pus vreri kaq të thellë dhe dukshëm të pashërueshëm.
Të paktën në fantazinë krijuese dhe artistike, që rrëfen për një nënvetëdije të trazuar keqas, ku urrejtja ka zënë vendin e parashtrimeve alternative politike.
Sidoqoftë, ashtu si shumë shkrimtarë, që kanë abortuar të keqen e tyre nëpër libra dhe nuk e kanë inskenuar në jetë, është mirë të shpresohet se Blushi, tani që e vrau artistikisht dhe me plumb në gjoks, rivalin e tij politik, do të dijë të bëjë politikë më të mirë se sa ajo çka ka shkruar, në kartë. Pra mbasi e “vrau” njëherë e mirë Ramën si shkrimtar, të shohim se si do ta konkurojë si politikan. Kjo është edhe ajo që pritet, më shumë se sa shitjet e romanit.
Të kuptohemi, libri në vetvete, është një krijim interesant, por ruajna Zot, të jetë një pothujase platformë e një partie të re politike. Sado i zemëruar dhe i zhgënjyer qoftë krijuesi i saj./360 grade