Zonjat fatale të kështjellës së Kaninës

Një historik i shkurtër i personazheve të saj që nga “zonjat fatale”, Maria Frëngu, Rugina Balsha e deri te bashkëshortja e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, Donika

Nga Ilirjan Gjika

Kështjellat janë objekte të trashëgimisë kulturore me origjinë antike dhe mesjetare. Edhe vendi ynë, Shqipëria, ka trashëguar nga e kaluara një sërë kështjellash, të cilat sot përfaqësojnë një pasuri të vyer kulturore dhe historike. Ndërkohë që secila prej tyre përmban në vetvete histori nga më të ndryshmet rreth ngjarjeve që lidhen me to. Edhe sot janë të njohura dhe të famshme legjendat e vjetra mbi Rozafën dhe Argjiron e deri tek ato më të rejat për Vasiliqinë e Ali Pashës. Por kështjella shqiptare që bart histori të shumta, të ngjashme me ato të tragjedive shekspiriane është padyshim ajo e Kaninës.

Në këtë fortesë kanë ushtruar aktivitetin e tyre një sërë emrash të njohur nga historia si Robert Guiskardi, Boemundi i Tarentit, despotët e Epirit, admirali Filip Kinardi, Jovan Komnen Asenin, pasardhësi i tij Aleksandri, i pari i dinastisë së Kastriotëve, Balsha II, princi serb Merksha Zharkoviç, Gjergj Arianiti, Gjegju Sinan Pash, etj. Ndërkohë që krahas burrave të përmendur dhe të fuqishëm të kohës, në Kaninë, kanë vepruar edhe shumë “figura femërore”, të cilat janë bërë tashmë objekt shkrimesh të ndryshme, që nisin nga folklori popullor për të mbërritur deri te letërsia e kultivuar apo historia.

Le ta nisim me temën e parë, për të cilën, në librin e tij “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera”, një autor modern si Eqrem Bej Vlora, citon një kronikë anonime normane të titulluar “Breve cronica normanna”. Sipas saj gjatë fushatës normane të vitit 1081, kalorësi i shquar i shquar i Perëndimit, Boemundi i Tarentit, pasi pushtoi Vlorën rrethoi edhe kështjellën e Kaninës. Në pamundësi për ta marrë me luftë, njerëzit e tij përdorën një tjetër taktikë. Ata e bindën gruan e komandantit bizantin që për një shpërblim të mirë të vriste të shoqin dhe t’u hapte portat e fortesës. Gruaja tradhtare veproi sipas porosisë dhe u shpërblye për veprën e kryer. Por kur në Vlorë mbërriti nga Italia e Jugut, Robert Guiskardi, i ati i Boemundit ngjarjet morën një tjetër rrjedhë. Pasi dëgjoi për këtë ngjarje, kalorësi i shquar norman u revoltua nga kjo vepër e ulët dhe urdhër, që gruan tradhtare ta burgosnin në Manastirin e Zvërnecit ( Eqerem Bej Vlora, Kalaja e Kaninës dhe Shkrime të tjera, Koçi, 2004, f. 32).

Ky ishte fundi tragjik i kësaj historie të trishtë, e cila do të vijonte përsëri në Kaninë. Dhe vijmë kështu te historia e dytë, e cila është edhe ndodhia më mbresëlënëse dhe njëkohësisht më e dhimbshme e tematikës së sotme. E tillë është ajo që lidhet me një nga zonjat e Kaninës, Maria Frëngun, të cilën jo pa qëllim, historiani Pëllumb Xhufi, në librin e tij “Nga Paleologët te Muzakajt” e quan edhe si: “Zonja fatale e Kaninës”.

Si gruaja e dy burrave të fuqishëm të kohës, Maria, do të bëhej autorja kryesore e vrasjeve të tyre, që përbëjnë një kapitull të rëndësishëm të “kronikës së zezë’’ të shekullit XIII, në historinë e Arbërisë mesjetare. Duhet thënë se Maria Frëngu ishte kunata e despotit të Epirit, Mihal II dhe për qëllime politike u martua fillimisht me qeveritarin bizantin të Arbërit, Kostandin Habaronin. Pas vdekjes së tij për të njëjtat motive politike ajo u martua përsëri, por këtë radhë me mëkëmbësin e mbretit të Napolit, admiralin Filip Kinardi (Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, 55, 2009, f. 72).

Duke i shërbyer qëllimeve ekspansioniste të kunatit të saj, despotit Mihal II, Maria do të komplotonte dhe do të arrinte të eliminonte fizikisht të dy burrat e saj. Këtë aktivitet vrastar dhe tipik bizantin ajo do ta ushtronte me gjithë talentin e saj pikërisht në kalanë e Kaninës, atje ku kishte edhe pronat e saj.

Ndërkohë gratë do të ishin përsëri protagoniste të ngjarjeve që kishin të bënin drejtpërdrejt me këtë kështjellë. Historia e tretë ka të bëjë me gratë e familjes Balsha. Kështu pas vrasjes së princit Balsha II, në betejën e Savrës së vitit 1385, në Kaninë do të zotëronte e veja e tij, Komnena Muzaka, e quajtur ndryshe edhe “Zonja e Vlorës”. Por vdekja e parakohshme e të shoqit, njërit që kishte marrë përsipër të bashkonte Arbërinë do ta sillte Komnenën në krye të një zotërimi të rëndësishëm strategjik, që ishte e pazakontë për rolin e një gruaje. Gjithsesi, kjo gjë duhet parë edhe në kushtet e kohës kur rreziku osman në Ballkan kërcënonte Adriatikun. Në këtë kontekst edhe përpjekjet e saj për t’iu gjetur zotërimeve një princ apo për t’i vënë ato nën mbrojtjen e Venedikut dështuan. Pikërisht në kohën kur Vlora nisi të kërcënohej nga ky pushtim, ajo do të vdiste dhe në krye të principatës do të vihej e bija, princesha Rugina Balsha.

E përmendur në folklorin popullor njëlloj si Rozafa apo Argjiroja por ndryshe nga ato, Rugina, njihet si një personazh i mirëfilltë historik. Ajo qëndroi në krye të zotërimeve të Vlorës në vitet 1415-1417. Por Rugina nuk pati fat t’i mbronte zotërimet e saj nga sulmi osman. Pasi dështoi në përpjekjet për t’ia dorëzuar principatën Venedikut ajo u largua në ekzil. Një natë të errët pasi doli nga kështjella e Kaninës Rugina, kaloi përgjatë shpateve të malit të Shashicës dhe mori rrugën drejt Himarës për t’u vendosur përfundimisht në Korfuz ku dhe vdiq në dëshpërim (E. B. Vlora, f. 44). Edhe sot në Vlorë, përgjatë shpateve të maleve të Shashicës, Lungarës dhe majës së Llogorasë ruhet një toponimi e dendur që lidhet me shtegtimin e tragjik dhe të dhimbshëm të saj. Emra të tillë si ‘’shkëmbi’’, ‘’përroi’’ apo ‘’burimi’’ i Ruginës kanë qenë një lëndë e pasur etnografike e mbledhur dhe publikuar prej kohësh prej studiuesve të kësaj fushe.

Ndërkohë që emri i historisë së fundit që lidhet me figurat femërore në Kaninë është padyshim ai i Donika Arianitit, bijës së princit Gjergj Arianiti, njërit prej heronjve të qëndresës anti-osmane të shekullit XV. Në ditët e sotme historia aludon se dasma e saj u zhvillua në Kaninë atje ku Gjergj Arianiti kishte selinë. Kurse gojëdhënat popullore e “dëshmojnë” një fakt të tillë duke theksuar se ceremonia e martesës së Donikës me Skënderbeun u zhvillua këtë kështjellë. Njëra prej tyre e ruajtur në Himarë, e cila ishte zotërim i Arianitit tregon se: “Ditën e dasmës në Kaninë shkuan edhe Kapedanët e Himarës me peshqeshe për çiftin. Ata e shoqëruan nusen deri në Krujë”(Akademia e Shkencave. Epika Historike, I, Tiranë 1983, f. 133).

***

Kështjella e Kaninës ngrihet mbi një kodër prej 380 m të lartë në pjesën juglindore të qytetit të Vlorës. Arkeologët e kanë përcaktuar si një fortesë me karakter mbrojtës që i shërbente qysh në antikitet bashkësisë ilire të Amantëve. Me një sipërfaqe prej 3.5 ha dhe e rrethuar me mure që i përkasin teknikave, stileve dhe kohëve të ndryshme, kështjella, ishte e aftë të strehonte njerëz dhe mjete të konsiderueshme. Qëllimi i saj ishte kontrolli mbi gjirin e Vlorës, fushat bregdetare dhe luginën e poshtme të Lumit Shushica. Këtë rol ajo e luajti edhe gjatë shekullit të fundit, kur në vitet ‘90, kur prej saj u largua i fundmit nënrepart i Ushtrisë shqiptare.

Kështjella e Kaninës mbetet edhe sot një nga destinacionet e preferuara të turizmit historik dhe kulturor në Vlorë. Nuk mund të kuptohet Vlora pa Kaninën dhe anasjelltas Kanina pa Vlorën. E natyrisht që një shkrim i tillë nuk shërben veçse si një ‘’ngacmim’’ që nëpërmjet përmendjes së këtyre personazheve të historisë, të ‘’pasurojmë pasaportën’’ turistike të këtij monumenti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *