Këtë vit, në Sallonin e Tetorit në Beograd është një shqiptare.
Bëhet fjalë për Anila Rubikun, artisten që këtë vit është në mesin e artistëve pjesëmarrës në organizimin artistik të njohur në Serbi.
Rubiku ka treguar për KultPlus se ajo do të paraqitet në këtë organizim me punën “The consequences of Love”. “Metafora e zinxhirit tregon lidhjet “e dashurisë”. Figurat me zinxhirë janë të pranishme në disa kultura: për burgosje, për transport. Por askund nuk është nocioni zinxhir më i fuqishëm sesa në tregimet e dashurisë dhe humbjes që gjenden në librat mbi këngët amerikane blues e të cilat kanë influencuar të gjitha format muzikore amerikane” thuhet në konceptin e punës së Rubikut, shkruan Express.
Salloni i Tetorit në Beograd këtë vit ka edicionin e 56-të dhe fokusohet në rolin që luajnë emocionet në artin bashkëkohor dhe si mund të arrihet të mos tingëllojnë as banale e as kiç. Kjo përfshin kënaqësinë e dashurisë, humorit, horronit dhe perspektivave tjera që arti mund të sjellë në një jetë njeriu, me ndikim të shkurtër ose të gjatë. Salloni starton me 23 shtator e qëndron i hapur deri me 6 nëntor.
Anila Rubiku është diplomuar në Akademinë e Brerës, Milano dhe ka një aktivitet artistik të pasur me ekspozita në Angli, SHBA, Izrael, Zvicër, Ukrainë. Pjesëmarrëse në Pavijonin Shqiptar të Bienales së Artit në Venecia, në vitin 2011. Ajo ka qenë edhe një prej të përzgjedhurave në Top Global Thinkers 2014, nga Magazina prestigjioze Foreign Policy. Salloni mbahet në Muzeun e Qytetit në Beograd dhe në Qendrën Kulturore të Qytetit.