Nga Bjorn Runa
Dy ditë më parë një grup rapper-ash u përfshinë në një sherr të dhunshëm në qendër të Prishtinës. Arsyet për këtë, janë sa të njohura aq edhe të paqarta. Nëse nuk keni dëgjuar më parë për “Babastars,” apo “OTR” dhe konfliktin mes tyre, me siguri mund t’iu pyesin nëse i keni kaluar i mbyllur në një shpellë këto vitet e fundit, ndonëse çdokush do ta ndërronte me kënaqësi muzikën e tyre të mërzitshme e herë-herë pështjelluese me heshtjen e lagësht të një shpelle primitive.
Në fakt, konfliktet mes grupeve të muzikës “Hip Hop,” kanë ekzistuar qysh në fillimet e saj, aq sa shpesh kanë qenë pikërisht këto përplasje që kanë çuar edhe në krijimin e disa prej hiteve më të njohura të kësaj rryme muzikore. Por, ta quash atë një muzikë të dhunshme, është gati-gati çmenduri. Jo, muzika nuk mund të jetë kurrë e dhunshme. Ajo mund të jetë e rëndë, e ashpër por, në fund mbeten thjesht tinguj dhe fjalë, të cilat të kombinuara në mënyrën e duhur do të godasin aty ku duhet.
Shkaku i vërtetë i dhunës, e veçanërisht i rastit konkret, janë mediat dhe programet tona televizive, të cilat prej kohësh kanë nisur të çlirojnë në ajër erën e rëndë të dekompozimit. Gjithmonë të njëjtat pyetje, të ftuar të njëjtë dhe dëshira për t’i treguar publikut vetëm atë çfarë do të dëgjojë. Në fakt, janë pikërisht ata, të cilët pasi e kanë ushqyer publikun gjatë gjithë kohës me të njëjtin ushqim, tashmë pretendojnë se thjesht po i japin atij, atë çfarë kërkon.
Emisione, të cilat nuk kanë thuajse asgjë origjinale, duke nisur nga stuidot, grafikat, siglat e gjer tek qëndrimi i drejtuesit të programit, apo edhe intonacioni që përpiqet t’i japë çdo pyetjeje. Dhe, sigurisht kur vjen puna tek pyetjet, ato të cilat lidhen me muzikën, krijimtarinë dhe arsyen e vërtetë përse i ftuari gjendet aty, kalojnë shpejt si diçka e papërfillshme. Tek e fundit, askush nuk do të dëgjojë bisedat e mërzitshme se sa e lodhshme ka qenë të krijohej muzika apo të sa ditë janë dashur për të përfunduar tekstin. Ajo që na intereson të gjithëve, është nëse modelja X që shfaqet në klip ka fjetur me këngëtarin Y, apo kush është më i fortë, Noizy apo Stresi, Babastars apo OTR?
Nëse do t’iu pyesnin se kur ka qenë hera e fundit që muzikantëve apo artistëve të vërtetë iu është dhënë hapësira e duhur për të folur për krijimtarinë e tyre, me siguri do të stepeshit përpara se të jepnit një përgjigje. Çdo fundjavë në mbrëmje, ekranet i mbushin ata, të cilët të vetmen lidhje me muzikën e kanë nëpërmjet vjedhjes së saj dhe përkthimit fjalë për fjalë të teksteve, thua se pjesa tjetër e publikut janë thjesht një tufë lakuriqësh nate që jetojnë në errësirë, të gatshëm ta marrin gjithçka si të mirëqenë. Nëse ju i jepni të gjithë kohën dhe vëmendjen e mundshme njerëzve si Noizy, Stresi, Cozman (jo Dushi), dhe i ngacmoni ata përherë e më tepër për historitë intime dhe të konflikteve, sigurisht që po i lini rrugë të lirë dhunës.
Justifikimi i përhershëm është se publiku e ka vetë në dorë të gjykojë, të zgjedhe se çfarë i duket e drejtë dhe të rreshtohet në anën e duhur. Por, jo gjithmonë. Publiku, njerëzit janë një masë komplekse, ku jo të gjithë kanë njohuritë e duhura dhe të rrallë janë ata që mendohen gjatë. Nëse një adoleshent diku në periferitë e largëta të Shqipërisë, i cili harxhon 1000 lekë në muaj për të patur internet pa limit në smartfonin e tij, dëgjon se si dy ‘muzikantë të njohur’ përleshen në rrugë, nuk e mendon gjatë se ajo është diçka që nuk ka lidhje me muzikën.
Justifikimi i përhershëm është se publiku e ka vetë në dorë të gjykojë, të zgjedhe se çfarë i duket e drejtë dhe të rreshtohet në anën e duhur. Por, jo gjithmonë. Publiku, njerëzit janë një masë komplekse, ku jo të gjithë kanë njohuritë e duhura dhe të rrallë janë ata që mendohen gjatë. Nëse një adoleshent diku në periferitë e largëta të Shqipërisë, i cili harxhon 1000 lekë në muaj për të patur internet pa limit në smartfonin e tij, dëgjon se si dy ‘muzikantë të njohur’ përleshen në rrugë, nuk e mendon gjatë se ajo është diçka që nuk ka lidhje me muzikën. Në fakt, është krejt e kundërta. Për të, kjo është një mënyrë për të bërë pjesë tek të njohurit. Mjafton të zgjedhësh njërin krah, pak rëndësi ka muzika që bëjnë, dhe t’i mbështesësh ata gjer në fund.
Në fund ajo që duhet bërë për t’i ndryshuar gjërat është sa e vështirë aq edhe fare e lehtë. Mjafton të heqësh dorë nga dorëzimi i shtirur para faktit se “ky publik këto do” sepse ky publik është ai që ju keni krijuar me programet e çdo mbrëmjeje. Nëse ju do të përpiqeshit sado pak t’i ofronit diçka ndryshe, apo t’i tregoni se çfarë duhet të pëlqejë në të vërtetë, gjërat do të ishin shumë më ndryshe.