Nga Gazmend Bërlajolli
Fjalori i shqipes i vitit 1954 shënon fjalë si ‘mëshel’ e ‘i mbramë’ ose edhe ‘nalt’. Botimi i radhës i leksikografisë, fjalori i vitit 1980, nuk e ka asnjërën nga këto leksema. Secila prej tyre mbetet kësisoj e papërfaqësuar në fjalorin e gjuhës që këto fjalë i përdor. E qartë, vendimi për heqje vjen për shkak se zërat nuk i sugjerohen fare përdoruesit në përdorimin zyrtar të gjuhës.
‘I mbramë’ për ‘i fundit’ u zhduk në fjalorin e vitit 1980, por mbeti zëri ‘tekembrama’. Cili mund të ketë qenë vendimi me e heqë kur figuron si fjalë e vetme, por të njejtën me e mbajtë kur fjalëformon? Apo është thjesht zgjedhje arbitrare e redaktorëve? Hiqet edhe ‘nalt’, por mbeten ‘rrafshnaltë’ e ‘furrnaltë’. Kjo sepse ishin ngulitë kështu si fjalëformime, e nuk i kishin alternativat korresponduese me ‘-lartë’.
Është interesante se te fjalori i vitit 2006, ndonëse nuk kthehen asnji nga këto tri leksema, figuron megjithatë kosovarizmi ‘hajgare’, të cilin nuk e shënonte kurrë më parë leksikografia e të njejtit organ, Akademisë së Shkencave në Tiranë. E kuptueshme, rrethanat më 2006 tashmë ishin bë të tilla që shqipnitarët ta kishin përthithë mirë lemën, rrjedhojë kjo e ndërkomunikimit të shtuar me kosovarët, prandaj zëri ‘hajgare’ edhe shënohet edhe në leksikografinë zyrtare.
Por, nga ç’kushtëzojnë rrethanat për përditësimin e shqipes në nivel gjithëkombëtar, leksikografia mbetet ende shum larg, jo veç në raport me fjalë prej truallit kosovar a gjetiu prej trevash gege. Më 2016 ende nuk kemi arritë me mbledhë e sistemu përtej se tek-tuk ndonji ‘hajgare’ nga ai krah i shqipes të cilit periudha socialiste po i shmangej, nuk e përfillte më si degë ushqyese për nevojat e standardizimit të gjuhës. Prandaj edhe hetohen lëvizjet për mënjanimin e zërave si ‘mshel’ nga fjalori zyrtar, mosregjistrimin e sa të tjerëve si p.sh. ‘kokëdhimbje’, madje edhe nëse ky fjalërformim kosovar i kohës socialiste bëhej në përputhje me vetë orientimet e gjuhës standarde, e cila parapëlqente ‘kokë’ përpara se ‘krye’.
Mungesa e zërit në fjalorë vjen nga fakti se leksikografia e periudhës socialiste në Tiranë i kishte mundësitë të diktuara nga rrethanat politike që po i jetonin Shqipëria e Jugosllavia dhe raportet që kishin qeveritë përkatëse. Bashkëpunimi me Kosovën e shqiptarët e tjerë në Jugosllavi njohu shkëmbim tejet të kufizuar. Po sot, cili është arsyetimi?
Penaime.com