Zeusi në rikonstruksion!

Zena Brako 

U mërzit Zeusi një ditë dhe i braktisi perënditë dhe kryeperëndillëkun  e tij. E braktisi Afërditën dhe Herën, Erosin dhe Dianen.

Meqënëse Olimpit, kishte kohë i kishte rënë prestigji, të ikte Zeusi ishte po aq e cuditshme sa të luante Poseidonusi me valët.  Erdhi e u bashkua me njerëzorët pa e vrarë mendjen  nëse do e merrte malli ndokënd për të apo, a linte gjëra pa bërë  aty.

E kishte vendosur  të ikte. Kjo ideja e arratisjes e kishte intriguar prej kohësh de fakto.  Mirëpo me njerëzorët që i kishte parë vetëm nga lart, zor se do mësohej në nivelin e detit, Zeus djali qe mësuar të gjallojë në lartësi olimpike.  Ai se kishte njohur dot mirë Balzakun, ose se kish pasur mendjen te mendja e tij kur u thoshte njerëzorëve se :” Sa më lart të ngjitesh aq më ftohtë bën” në kushte të tilla s’kishte ardhur i përgatitur për temperatura të larta për metabolizmin e tij kryeperëndia. Njerëzorëve iu duken të çuditshëm perëndite, dhe kësisoj, natyrshëm në një farë mënyre edhe perëndive iu duken të çuditshëm njerëzit. Se nuk kishte nga ta dinte Zeus djali, se me psikanalizën,një tjetër perëndi homologe me të,  kishte caktuar Freud-in  të merrej.

Mes për mes qytetit pa njerëz që ecnin me rrota.

-Kush i bëri të mbinatyrshëm këta?  Të kenë  bashkuar fuqitë kolegët e mi e ti kenë dhënë fuqi njerëzorëve që të merzitem edhe këtu dhe të kthehem nga kam ardhur?! Naaaaah, eja ne vete …

Në këto të thella e tutje dëgjoi një njerzor me rrota të thoshte se nuk duhej të tallej me zotin.

Pësoi takikardi duke menduar se e njohën, por aritmia i vazhdoi kur njerëzori vijoi të thoshte se zoti është një dhe i vetëm.

E tmerrshme  – mendoi, njëë  dhee i vetëëm??!  Po vetëm në  lagjen time mund të  numëroj një  zot për cdo dukuri. Kush ma ka  zënë  vendin tim,  e,  qenka bërë zot i cdo dukurie?  Harroi Zeus djali,  se atë vendin që e quante të vetin e kishte braktisur lumturisht, madje aq lumturisht sa ishte hedhur nga gëzimi sic hidhen njerëzorët kur mbarojnë vizitat e bezdisshme tek dentisti. Megjithë këtë prap, me atë vend e lidhte një ndjenjë ambiguale përkatësie. Eh! Ajo pra, ajo ndjenja se i perket gjërave a vendit qe i ke lënë   pas qoftë edhe lumturisht, ajo bindja e cuditshme se ato që braktis kurdo tu kthehesh do të jenë duke të pritur, atyre gjërave dhe vendeve që ndjen se  u përket pazgjidhshmërisht e, kur stë ndalon asgjë tu kthehesh ,vec kokfortesisë krenare dhe refuzimit të  pranosh  se ndonjëherë  edhe në  qofsh kryeperëndia e Olimpit unik, ia fut kot kur ta sjellin në majë të hundës të tutë.  Po ku ti dinte Zeus djali këto, ai as nuk kishte qënë ndonjëherë njerëzor, as nuk e kishte vrarë  mendjen për kohën.  E pikërisht me kalimin e kohës, Zeusi mësoi se njerëzorët ishin akoma dykëmbësha me një pompë gjaku dhe një arrë brenda kokës, se ajo që i bënte të ecnin me rrota quhej “hoverboard”. Se e mbanin mend se dashuronin sa shkaktonin luftra, por Afërdita nuk tundonte më me  mollën e sherrit por me makinën e fundit,  lekët pa hesap dhe jetën e ëndrrave. Afërdita s’ndryshoi kurrë aspak, por Helenat kishin ndryshuar të gjitha. Nuk ishin më lehtësisht të kategorizueshme në të bukura por  mendjelehta dhe të shëmtuara dhe të zgjuara, në ato perrite e bukura dhe te zgjuara,  dehëse si verë perëndish, eh, ajo vera e tij. Ndërkohë meshkujt s’kishin ndryshuar akoma, ata i ndaje lehtë , në burra dhe thjesht meshkuj.  Kishin mbetur cuditerisht aq të thjeshtë në komplikimin e tyre. Vetëm varësite kishin ndryshuar. Disa vareshin nga veset,  disa nga femrat,  e kishte dhe nga ata, që kishin varësi nga karriera.

-Karriera?  Po cfarë Hadin është kjo?

S’kishte nga ta dinte Zeus djali  se karriera ishte ajo që kishte pasur ai gjithëmonë e ndaj se kuptonte se si të mos e kishte. Ai kishte lindur dhe sdo vdiste kurrë perëndi.  Por e mësoi shpejt edhe ktë, se midis njerëzorve Zeus djali kryeperëndia,  kishte avantazhe të mëdha.

Këputi cdo Helenë që mundi për ta braktisur më vonë se kështu ishin njerëzorët mendjehapur te gjinise së tij,  kështu quheshin pa komplekse. Në Had normat. Mashtroi dhe i ngriti kurthe e hile cdo shoku e miku që bëri se të tilla kohëra kishin ardhur thoshin të gjithë njerëzorët.

Në kohët që jetonin ata ky s’ishte aspak cudi si fenomen. Se nuk është e vështirë të harrosh cfarë s’të rri pas shtatit kur të vjen në majë të hundës e kur këmbët bëhen kokeë, e kur bëhen të gjithë si këmbët e dhisë. Se kur të lodhet xhani aq të bën për njollat xhamadanit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *