Zana Çela rikthehet në krye të TKOB, si drejtoreshë pas dorëheqjes së Ilir Kernit, bën të ditur Pasqyre.al. Zana Çela, ish-drejtoreshë e TKOB dhe Josif Gjipali tenor, ishin dy emrat që shkuan tek kryeministri Edi Rama, për të përzgjedhur drejtorin e ri të Teatrit të Operas dhe Baletit.
Çela dhe Gjipali ishin dy emrat e përzgjedhur nga komisioni i ngritur në Ministrinë e Kulturës mes kandidatëve të tjerë, Agim Hushi, Kleanthi Gjika, Ylber Gjini dhe Gëzim Xhaxhaj.
Zana Çela ish-drejtore në TKOB është producente e konkursit ndërkombëtar Marie Kraja. në prezantimin e platformës së saj para komisionit të ngritur nga MK ajo theksoi nevojën për një reformim të TKOB, duke paraqitur një program me 6 pika kryesore.
“Angazhimi kryesor është ta kthejmë TKOB në një institucion të ekselencës, edukimit dhe inovacionit. Kam caktuar 6 fusha: ekselencë në program dhe zbatimin e kalendarëve artistikë, edukimin e publikut, thithjen e publikut, marketing dhe promocion. Menaxhim më i mirë i burimeve financiare që ka teatri, duke identifikuar burime të reja, donatorë, sponsorë; ripozicionim të vendeve të punës sipas aftësive dhe repertor më i gjerë: me të gjitha epokat, nga barokja te tendencat e reja”, theksoi Çela para komisionit./Pasqyre.al