Zana Çela: Pagat në Opera të mira, u habita kur i pashë! Ku ndahem me Kernin

Drejtoresha e re e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zana Çela ishte e ftuara e puntatës së sotme të emisionit “Tonight Ilva Tare”.
Duke pranuar se edhe në art ka politikë në pikëpamjen menaxheriale, zonja Çela iu përgjigj edhe pyetjes nëse politika e kishte sjellë në këtë post.

Gjatë intervistës, zonja Çela deklaroi se pagat në Teatrin e Operës dhe Baletit janë të kënaqshme, duke theksuar se paga mesatare është 80 mijë lekë të rinj.

Pjesë nga intervista:

Tare: Në këtë tryezë kam veçanërisht politikanë, por kam përshtypjen që edhe në art ka pak politikë. Jeni dakord?

Çela: Sigurisht që ka, sepse vetë fakti që edhe ne që drejtojmë merremi me politika të menaxhimit të artit. Vërtetë është politikë! Politika është fjala e parë!

Tare: Meqë jemi tek politika, ju ndihmoi ta fitonit postin?

Çela: Unë nuk mendoj! Sigurisht kjo përgjigje është e pritshme. Unë mendoj se platforma me të cilën kandidova dhe kandidatët që unë kisha përkrah besoj se ishte vërtetë një konkurs real dhe transparent.

Tare: Pati nga ata skeptikë që sapo dëgjuan se ju ishit një nga konkurrentët menduan se po do të ishit ju e përzgjedhura, edhe për faktin se e kishit drejtuar më parë këtë institucion. Janë thjesht spekulime? Apo kishit një premtim se do ta merrnit ju?

Çela: Absolutisht nuk kisha asnjë premtim. Jam përgatitur shumë fort për këtë konkurrim, pasi platforma nuk ishte thjesht e prezantuar në një panel i cili do të na seleksiononte, por do të ishte platforma që do të më udhëhiqte mua nëse do të isha fituesja. Ishte një punim shumë dinjitoz dhe për këtë arsye ndoshta ishte ajo që u pëlqye nga paneli dhe më pas mori pëlqimin e kabinetit të Kryeministrisë.

Tare: Çfarë ju shtyu të kandidonit sërish për një post që ju e kishit pasur më përpara, 10 vite më herët?

Çela: Ka të bëjë me eksperiencën që unë kam akumuluar prej 28 vitesh. Unë kam menaxhuar projekte të ndryshme të artit dhe të kulturës, veçanërisht në fushën e medias. Dihet tashmë që karriera ime është fokusuar edhe në ngritjen e një institucioni që është festivali operistik “Marie Kraja” dhe ky institucion më ka krijuar mundësinë që të kem partneritete shumë të mira ndërkombëtare.

Tare: Të menaxhosh një sipërmarrje private është shumë më ndryshe se sa të menaxhosh një institucion publik…

Çela: Sigurisht! Begraundi im ka edhe momente të tjera që ka të bëjë edhe me menaxhimin e institucioneve të tjera siç është Teatrit i Operës në vitin ’99-2003. Unë jam përfshirë edhe në menaxhimin e projekteve kulturore të financuara nga BE-ja.

Tare: Çfarë ndodh me Marie Krajën? Do ta lini jetime si iniciativë?

Çela: Unë kam dhënë dorëheqjen edhe si kryetare e shoqatës kulturore Media-art, me të cilën kemi realizuar evente të ndryshme gjatë këtyre viteve. Festivali Marie Kraja kam dhënë dorëheqjen si producente. Ne do t’ia besojmë këtë festival artistes së madhe zonjës Inva Mula. Do ta vazhdojë organizimin dhe kryesinë e këtij festivali. Unë përsëri do ta vazhdoj ta mbështes këtë festival në bashkëpunim me Teatrin e Operës.

Tare: Do ta mbështesni se është festivali juaj?

Çela: Ky festival nuk ka pasur asnjëherë të bëjë me karrierën time si këngëtare, si dirigjente. Ai ka ndihmuar në zbulimin e talenteve.

TOB pa kalendar

Duke folur se si e kishte gjetur Teatrin e Operës, zonja tha se e kishte gjetur pa një kalendar aktivitetesh.

Tare: Në dijeni time kalendarët bëhet me vite jo me muaj…

Çela: Sigurisht! U ndodha para faktit dhe direkt fillova punën. Mendoj se ia dolëm të krijonim një kalendar.

Tare: Keni një koment për paraardhësin tuaj zt. Kerni, si e ka kryer detyrën?

Çela: Është gabim që një drejtor që sapo ka nisur punën të gjykoj punën e paraardhësit të tij. Nuk më takon mua ta gjykoj. Nuk e bëj dot këtë gabim që e ka bërë pasardhësi im që hoqi fotografinë që në javën e parë. Ilir Kerni ka lënë punën e tij, gjurmët e tij.

Tare: Ju ka uruar?

Çela: Absolutisht po!

Tare: Në një status shprehte shqetësimin për fondin e ulët. 600 euro për një shfaqje! Një buxhet skandaloz. Çfarë mund të bëhet me 600 euro?

Çela: Unë nuk e kam lexuar këtë status! Nuk është e vërtetë! Absolutisht nuk mund të jetë. Madje, edhe një nga shfaqjet normale vetëm një artist i huaj, i kanë pasur honoraret mbi 2 mijë euro. As një kostum nuk bën aq! Vetëm një shfaqje ka pasur një shumë prej 28 mijë euro. Buxheti vjetor është 280 milionë lekë.

Tare: A është i mjaftueshëm buxheti?

Çela: Asnjëherë nuk është i mjaftueshëm, por një drejtor duhet të menaxhojë gjendet që ka dhe të gjejë burime të reja, duke krijuar strategji marketingu.

Pagat në Teatrin e Operës dhe Baletit

Tare: Është folur shumë vitin e kaluar për kontratat, protesta, mos pranim të formës së re të kontratës? Ju kanë paraqitur ndonjë shqetësim?

Çela: Deri tani jo! Ndoshta është edhe herët.

Tare: Pagat e artistëve janë në një nivel të kënaqshëm?

Çela: Sa herë dëgjojmë që pagat e mjekëve janë aq të ulëta, tronditemi të gjithë. Kur erdha, u habita kur mora informacionin se paga mesatare në Teatrin e Operës është 80 mijë lekë. Kjo është një pagë e mirë. /OraNews

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *