Vrasësi i Reeva Steenkamp, modeles afrikano-jugore, e vrarë natën e 14 shkurtit 2013, ishte një vrasje e qëllimshme.
Dhe fajtori është Oskar Pistorius, ish-atleti paraolimpik, i cili në atë kohë ishte i fejuar me të. Për këtë krim ai u dënua sot me 6 vite burg nga Gjykata e Apelit në Pretoria.
Menjëherë pas leximit të verdiktit nga gjykatësja Thokozile Masipa, Pistorius përqafoi familjarët e tij në lot dhe më pas u transferua në qelinë e tij në burgun ku do të kryejë dënimin.
Apeli vendosi t’ia rrisë dënimin sportistit, i cili në Gjykatën e Shkallës së Parë ishte dënuar me 5 vite burg. Por në Apel, ai i shpëtoi dënimit maksimal me 15 vite burg.
Gjatë mbrojtjes së tij, Pistorius kishte thënë se ai kishte qëlluar drejt tualetit atë natë, por e kishte ngatërruar të fejuarën e tij me një hajdut. Ai tha se duke u gjetur në shtrat pa protezat e tij, e kishte të pamundur që të identifikonte se kush mund të ishte në banjo në ato momente, madje hoqi edhe protezat gjatë një demonstrimi në njërën prej seancave./ATA