Sot del në librari libri më i ri i shkrimtares dhe përkthyeses Mira Meksi, novela ‘Vrasje në Venecia’.
Një krim i llahtarshëm ndodh në Venecia një mesnatë fundnëntori. Pranë urës së Turkeshëzave, Fantino varkëtarit i gdhendet në retinë me saktësi pamja e tmerrit: imazhi i një djaloshi të pashëm mbi urë, i cili nxjerr nga pelerina e zezë kokën e prerë të një gruaje të re shumë të bukur, që çurkon gjak.
Identikiti i vrasësit në polici vë në pranga refugjatin shqiptar Adrian Gjergji, i cili akuzohet se ka vrarë të dashurën e tij, xhazisten shqiptare Anila Duka, e zhdukur ditën e shfaqjes së krimit. Hetimi i çështjes me emrin e koduar “Koka e Meduzës” vendos në një përballje të ashpër, komisarin e policisë së Lagunës, Matteo Genovese dhe kryeinspektorin e policisë, Marino Lambertini, në zhvi- llimet më të pabesueshme dhe më halucinante që mund të njohë hetimi i një krimi të mbinatyrshëm, të çuditshëm, të pashpjegueshëm dhe pa corpus delicti.
Një novelë policeske me shpirt legjende, ‘Vrasje në Venecia’ është portretizimi thriller i aventurave fatkeqe të refugjatëve shqiptarë nëpër botë, si edhe i shqiptarofobisë.