Në Qendrën “Aletti” në Romë, ku punon një nga artistët më të njohur sot në botë, mjeshtri i mozaikëve të famshëm të artit kontemporan, Atë Marko Rupnik, bëri një vizitë Kreu i Misionit i Ambasdaës tonë pranë Selisë së Shenjtë, Visar Zhiti.
Qëllimi i kësaj vizite ishte kortezi dhe njohje, por dhe gjetja e një mundësie dhe marrja e një premtimi që gjeniu i mozaikëve Rupnik, të vendoste një mozaik të shkollës së tij në Shqipëri.
Dhe përgjigja ishte: “Po, do të më pëlqente, pse jo, ta bisedojmë dhe të vendosim, të bëjmë një mozaik në ndonjë kishë a gjetiu, në ndonjë fasadë në Tiranë…”.
Mund të jetë porteti i Nënë Terezës që shenjtërohet në shator të këtij viti, a një mozaik për 38 martirët e Kishës shqiptare që janë dhe ata në prag të lumturimit a një mozaik simbolik për Shqipërinë.
Atë Marko Ivan Rupnik është me origjinë sllovene, jezuit, që pasi kreu studimet universitare për Filozofi në Ljubljanë, vazhdoi në Romë Akademinë e Arteve të Bukura dhe ato teologjigje në Universitetin Gregorian dhe në 1985 bëhet prift. Papa Gjon Pali II e emëron Drejtor të Ateliesë së Artit Spiritual në Qendrën “Aletti”, ku Rupnik nis rrugën e tij si artist, më saktë famën, duke ndërtuar mozaikë, si fillim për kishat e Vatikanit dhe më pas për shumë kisha të botës, duke bashkuar në artin e tij ikonogafrinë tradicionale të kishave të Orientit, ortodokset dhe të Oksidentit, latinet me një mistikë ndërkohë dhe moderne, sipas avanguardës së shekullit XX, gjithsesi sakrale.
Rupnik është dhe autor librash teologjikë e filozofikë, shkrimtar e poet e pedagog universitar. Logoja e Jubileut të Mëshirës është e tij dhe komentet për të të janë të shumtë e mahnitës.
Takimi në Qendrën “Aletti” ishte shumë miqësor. I Ngarkuari me Punë i Ambasadës tonë, Visar Zhiti, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe Superiorja Gjenerale e murgeshave baziliane të Shën Macrinës, Motër Elena-Rregjina Lulashi, vizitoi dhe mjediset e studiove të mëdha dhe u takua me mjeshtrit e tjerë që bashkëpunonin në realizimin e mozaikëve, plot dritë simbolike e mister, që kanë emrin “Rupnik”. Aty punonte dhe një shqiptar.
Zhiti u interesua se nga i merrnin gurët për ndërtimin e muzaikëve, “Nga e gjithë bota”, – i tha atë Rupnik, – “Po nga Shqipëria?, – pyeti Zhiti, – “Ende jo”, – “Duhet”- tha Zhiti, – “Do të marrim!” – përfundoi Gjeniu i mozaikëve.