“Nuk ishte e lehtë që një vajzë e rritur në një ambient konservator të ngjitej në skenë. Të dënonte opinioni, por skena më detyroi të plotësoja arsimin tim”, -do të shprehej Artistja e Popullit.
Kanë kaluar 9 vjet që nga dita kur artisja dhe aktorja e madhe e kombit shqiptar, Violeta Manushi është ndarë nga jeta. Violeta Manushi do të kujtohet jo vetëm për veprën e saj, por mbi të gjitha si një ikonë e mirëfilltë e kinematografisë shqiptare e cila u ka dhënë roleve të saj aq shumë nga vetja e saj. Artistja e Popullit, në korrikun e nxehtë të vitit 2007, ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare, pasi kishte spikatur, me mbi 100 role në teatër dhe 16 role në kinematografi. Roli më i spikatur është ai i teto Ollgës në filmin “Zonja nga qyteti”. Për këtë rol, që i dha shumë popullaritet, Violeta Manushi u nderua me çmimin e parë si interpretuesja më e mirë në Festivalin e Filmit në vitin 1977. Ajo u lind në qytetin e Korçës më 6 mars të vitit 1926. E rritur në një familje të varfër, Violeta Manushi u detyrua të punonte që në moshën 12-vjeçare.
“Isha 12 vjeç kur filloi lëvizja nacionalçlirimtare dhe u përfshiva në atë lëvizje për çlirimin e atdheut. Në atë kohë isha punëtore tipografe”, është shprehur ajo në një intervistë dhënë disa vite më parë. Më pas, Violeta Manushi do t’i kushtohej skenës. “Nuk ishte e lehtë që një vajzë e rritur në një ambient konservator të ngjitej në skenë. Të dënonte opinioni, por skena më detyroi të plotësoja arsimin tim”, -do të shprehej Artistja e Popullit. Një nga ikonat e artit skenik shqiptar, Violeta Manushi është vlerësuar edhe me titullin ‘Qytetare Nderi’ e Tiranës.
Jeta
Violeta Manushi lindi më 6 mars 1926 në Korçë. Ajo vdiq më 27 Korrik 2007 në Tiranë. Violeta është një nga ikonat e Teatrit Kombëtar të Tiranës, aktive edhe pas 48 vjetësh! Aktore e madhe, që ka shkëlqyer njësoj si në komedi (Ollga tek “Zonja nga qyteti”) ashtu edhe në dramë (Nica tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”). Ajo numëron mbi 100 role në teatër dhe 16 në kinema. Në maj 2004 u rikthye me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me tragjikomedinë “Streha e të harruarve”. Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit (sot TK), më 1946. U shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt. Në dramën “Orët e Kremlinit” (1957) ajo luajti njëherësh tre role, duke shënuar kështu një rekord origjinal, ende në fuqi. Më pas shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985), duke u transformuar tërësisht në secilin prej tyre. Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana” (1958) e deri tek “Rrethimi i vogël” (1989) dhe një teledramë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976). Për rolin e teto Ollgës tek “Zonja nga qyteti” fitoi Medaljonin e Festivalit të Filmit më 1977.