Vërejtje të vogla për përkthimin e një romani të mrekullueshëm

Nga Ag Apolloni
Romani i mrekullueshëm i shkrimtarit Julian Barnes, The Sense of an Ending (2011), më në fund erdhi edhe në gjuhën shqipe. Nuk mendoj që titulli në gjuhën shqipe, Enigma e një fundi (2016), është ekuivalent i titullit anglisht, pasi ai humb edhe jehonën intertekstuale të romanit, i cili ka marrë titullin nga libri i famshëm teorik i kritikut Frank Kermode, The Sense of an Ending: Studies in the Theory of Fiction (1967). Gjithsesi, as fjala “shit”, kur Toni merr vesh lajmin për vdekjen e Adrianit, nuk do të duhej të përkthehej: “O, ç’lajm i shkërdhyer!”. Pastaj nuk më duket e qëlluar të përkthehen emrat e vendeve, si p.sh., “Hyde Park” në “Parku Hajd”. Edhe kjo më duket fort pa sens, sado që është përpjekur ta kthejë në idiomë shqiptare: “I don’t dance,” she said, part anthropologist, part layerdown of rules for any relationship we might have, were we to go out together (shqip: Unë nuk kërcej, tha ajo, pjesërisht për të më treguar diçka për vete, pjesërisht për të ma vënë kufirin te thana, nëse lidhja jonë do të konkretizohej). Po ashtu, disa fraza janë tipike të Shqipërisë (si, p.sh. “ai nuk po tallte bythën” për “he wasn’t taking the piss”. Në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi nuk përdoret ajo frazë, por një tjetër që është pak më banale, por që do t’i shkonte diskursit të narratorit. (Por, si duket, përkthyesit dhe botuesit e Shqipërisë, kosovarët (dhe të tjerët) i shohin vetëm si blerës, jo si lexues). 🙁
Pra, përkthimi do të duhej të ishte më i kujdesshëm ndaj origjinalit, duke filluar nga titulli, pasi Julian Barnes është autori më i vështirë anglez për t’u përkthyer, për shkak të stilit, përsosmërinë e të cilit e kanë krahasuar me përsosmërinë e Floberit. Jo thjesht në çdo fjali, por shpesh në çdo fjalë të tij duhet treguar kujdes i madh, sepse ai është i atillë që nuk kuptohet lehtë se ku po e hedh gurin. Moskapja e referencave, siç e ka theksuar Eco në librin e tij mbi përkthimin, e dobëson, ndonjëherë edhe e shkatërron, tekstin. E, libri “The sense of an ending” është i mbushur me referenca nga letërsia, muzika (klasike, blues, rock, pop etj.), kinematografia, teatri, piktura etj.
Pavarësisht titullit të prishur, pavarësisht kopertinës daniellstillski, botimi i këtij romani në gjuhën shqipe është një festë, sepse sjell në shqip njërin ndër shkrimtarët më të mëdhenj (ndoshta më të madhin) që ka sot Anglia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *