Vienna/Sarajevo – BE është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor dhe vendet e rajonit duhet të zgjidhin së pari çështjet dy palëshe në rrugën e tyre drejt integrimit në BE.
Ministri Austriak për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, Sebastian Kurz, mbylli mbrëmë punimet e një konference dy ditore ne Vienë me titull: “Energjizimi i procesit të zgjerimit duke zgjidhur mosmarrëveshjet dy palëshe”. I organizuar nga Fondi Europian për Ballkanin (FEB) dhe i mbështetur nga ministritë e jashtme të Francës, Austrisë, Këshilli Bashkëpunimit Rajonal dhe Instituti Renner, nisma për të zgjidhur çështjet dy palëshe në Ballkanin Perëndimor (BP6) synon të nxisë procesin e integrmit të rajonit në BE.
Ky proces që nisi një vit më parë, dhe vijoi me samitin BP6 në Vienë, në gusht të vitit të kaluar ku ministrat e jashtëm nënshkruan një angazhim për të zgjidhur “të gjithë çështjet dy palëshe në frymën e fqinjësisë pa kufij dhe angazhimit të përbashkët për integrimin në BE.
Grupi Këshillues për politikat europiane të FEB- ka punuar për mjetet dhe mekanizmat që mund ta çojnë procesin përpara në samitin BP6 që do të mbahet në muajin korrik në Paris. Konferenca e mbajtur në Vienë përshëndeti përpjekjet dhe nënvizoi rëndësinë e zgjidhjes se problemeve dy palëshe si katalizator për të shpejtuar procesin e integrimit në BE të gjithë rajonit
Ministri jashtëm austriak, Kurz tha se “BE është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor” dhe premtoi se Austria do të vijojë të jetë”, një zë i fuqishëm në mbështetje të miqve në rajon.
Ministri Jashtëm Shqiptar Ditmir Bushati theksoi se mosmarrëveshjet dy palëshe mund të ngadalësojnë dhe madje të ndalin procesin e zgjerimit. Ai shprehu besimin e tij se “rajoni po dëshmon se mund të mbajë premtimet që bën”.
Sekretari Përgjithshëm i Këshilllit të Bashkëpunimit Rajonal, Goran Svilanovic, tregoi përvojnë e tij si ish ministër i Jashtëm i SErbisë dhe dha shembuj të ndryshëm për mënyrat dhe mjetet, por edhe për pengesat që dalin gjatë zgjidhjes së çështjeve bilaterale. Svilanovic, theksoi se rruga përpara nuk është e lehtë, por puna e bërë deri më tani për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dy palëshe është premtuese dhe inkurajuese
Drejtoresha Ekzekutive e FEB-së, Hedvig Morvai, foli për rolin që shoqëria civile mund të luajë në procesin e afriimit me BE-në, duke përfshirë këtu kërkimin e zgjidhjeve për çështjet dy palëshe. Ajo tha se shoqëria civile mund të “ndërtojë ura, të nxisë dialogun dhe të ndihmojë qeveritë për të tejkaluar vështirësitë.” Të gjithë pjesëmarrësit theksuan rolin e bashkëpunimit rajonal drejt rrugës për në BE dhe për rolin që Këshilli Bashkëpunimit Rajonal ka patur dhe ka në këtë proces.