Nga Dorian Koçi
Në këtë tërësinë territoriale të Çamërisë, përfshihej dhe krahina e Sulit, në të cilën banonin shqiptarë të krishterë, që flisnin dialektin çam , të cilët kishin krijuar një bashkësi të pavarur fillimisht midis katër fshatrave Suli, Qafa, Avariku dhe Samoniva dhe që qeveriseshin në bazë të venomeve. Banorët e Sulit në fillim ishin vendosur në këto katër fshatra shkëmborë afër njëri-tjetrit. Në fshatin Suli banonin nëntëmbëdhjetë fise ose fara të përbëra nga 450 familje me rreth 2000 anëtarë nga i njëjti gjak. Fist më të rëndësishme ishin ata të Xhavellajve, Boçarëve, Drakove, Dangëllive, Kuconikëve, Karabinëve, Malemejve, Buzëve, Kallogjerëve, Zarbenjëve, Papajanëve, Shahinëve. Në Qafa ishin katër fise që kishin 90 familje me afro 360-400 anëtarë. Këta ishin: Zervat, Pantazenjtë , Nikajt, Fotenjtë; në Smonivë ishin tre fise: Bejkot, Dangëllenjtë dhe Irajt me 50 familje dhe rreth 200-250 anëtarë; në Avarik ishin tre fise: Salarenjtë, Bufajt dhe Xhorazët. Në kohë të katër fshatrat morën emrin e përgjithshëm Suli. (Koli Xoxi. Marko Boçari: fq,6). Më vonë në beteja me osmanët për të ruajtur vetqeverisjen e tyre, këtyre fshatrave iu bashkangjitën edhe 60 të tjerë të krishterë dhe myslimanë, të cilët u paguanin suliotëve detyrimet. Më kryesorët ishin: Zavruho, Gliqi, Potamia, Nemica, Kocanohori, Januzi, Zavarina, Gorica, Koritiani, Koroni, Koronopuli, Qeli, Turkopulako, Spathari, Skandali, Shalësi, Kulluri, Cangari, Stanovo, Mukovina, Dragoveci, Ardoshi, Sistruni, Romano, Alpohori, Vila, Sericani, Dervizani, Golemi, Lipa, Toskësi, Çifliku, Zhermi etj të cilët gjendeshin 7 km larg Sulit. (Koli Xoxi. Marko Boçari: fq 6 )
…Dhe ndërsa e mërmërisnin këtë këngë, vinin rrotull zjarrit, uleshin në gjunjë, hidheshin lart dhe vini rrotull, kurse kori përsëriste fjalët.Fëshfërima monotone e valëve mbi guralecë në buzë të detit, ku ishim ndarë në grupe, mbushte menjëherë intervalet e heshtjes së këngëve me butësi dhe thyente monotoninë e tingujve.
Suliotët, si popullsi rebele e luftarake kanë frymëzuar shumë autorë europianë, piktorë e shkrimtarë. Lord Byron, i përmend i pari në shënime e poemës së mirënjohur të tij, “Shtegtimet e Childe Harold”. Ai përshkruan një vendqendrim në Lutraki në Greqi, ku Bajroni i shoqëruar nga 50 trupa shqiptarësh dhe arvanitësh po udhëtonte drejt Tripolicës për të takuar Veli Pashën, djalin e Ali Pashë Tepelenës. Aty rreth zjarrit dhe natën pasi hëngrën dhe pinë verë, shoqëruesit shqiptarë u ngritën dhe ia morrën valles. Bajroni në shënime shkruan : “Nata ishte e errët, por në flakëritjen e zjarrit të kapte syri një korije, ca shkëmbinj dhe një liqen, të cilët tok me pamjen e egër të valltarëve të ngjante me një tablo që mund të kishte qenë piktura më e bukur e ndonjë piktori të tipit të autorit të Misterit të Udalfit”.
Më vonë, piktorët H.Waren dhe W.Finden që realizuan ilustrimet e poemës “Shtegtimet e Childe Harold” në 1830, realizuan këtë gravurë të luftërarëve shqiptarë duke vallëzuar. Ata e quajtën “Vallja Suliote” duke dëshmuar se edhe pas kaq vitesh imazhi romantik i suliotëve ende gjallonte në artin europian.
Shënime kulturore 14.08.2015