Unë ngrihem lart, nga Maya Angelou

Ti mund të shkruash për mua, të bësh histori,
me rrenat e tua të hidhura e plot dredhi, 
të më shkelësh duke më zhytur në ndyrësi,
por unë, ashtu si pluhuri, do ngrihem përsëri.

Mos vallë, guximi im i tepërt të trishton?
Përse je mbështjellë me gjithë atë mërzi?
Se shkoj si të kem një pus nafte që buron,
e thithet nga pompat në dhomën që unë rri?

Ashtu si rrezet e hënës dhe të diellit,
që në valët e tyre kanë përpikëri,
si shpresat që çelin e lartohen drejt qiellit
edhe unë do të ngrihem përsëri.

Do të më shohësh me gisht në gojë?
Me kokën ulur dhe sytë e zgurdulluar?
Me shpatullat e rëna si pika lotësh,
nga qarjet e shpirtit tim, të dobësuar.

Kryelartësia ime të fyen ty?
Pse e ke të vështirë për ta pranuar,
se unë qesh sikur kam miniera ari,
që nxirret në kopshtin tim duke gërmuar.

Dhe me fjalë mund të më godasësh,
mund të më therësh edhe me sy,
me urrejtje mund të më vrasësh,
por prapë, si ajri do ngrihem, përsëri.

Nga epsh-ndjellja ime të vjen inat?
Pse kjo të vjen si vetë befasia,
se unë vallëzoj sikur kam diamant,
atje ku më puthiten shalët e mia.

Unë dal nga kolibet që janë vulë turpi në histori,
Unë, ngrihem lart,
Sipër, nga një e shkuar e rrënjosur në dhimbje,
Unë, ngrihem lart,
Jam një oqean i zi, i gjerë, që rritet në thellësi,
ndërsa gulçon e enjtet mes dallgësh, ia dal për bukuri
dhe netët plot terror e frikë i lë pas vetes sime,
duke u futur në një agim të kthjellët, gjithë rrëzëllime.
Duke sjellë ato që më dhanë të parët e mi si dhuratë,
unë jam ëndrra dhe shpresa e skllavit të ngratë.
Unë, ngrihem lart,
Unë, ngrihem lart,
Unë, ngrihem lart.

Shqipëroi nga origjinali në anglisht
Laureta PETOSHATI.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *