Tre fantazma vërtiten mbi Evropë, terrorizmi, kriza e emigrantëve dhe Brexit, thotë Anthony Giddens. Dhe në afat të shkurtër, më e keqja është e para: “Një luftë e tretë botërore dixhitale”, thotë politologu krijues i Rrugës së Tretë, ish-drejtor i London School of Economics dhe anëtar i Dhomës së Lordëve. “Nuk mund të ketë ndikim të njëjtë me një konflikt globale mes kombeve. Por arrin gjithësesi të shkundë jetën tonë, mbjellë panik dhe ndikoja në vendimet politike”.
Profesor Giddens, pse e krahasoni me një luftë botërore?
Sepse tani mbulon të gjithë botën, nga Bangladeshi në Orlando, Shtetet e Bashkuara, nga Franca në Belgjikë në Gjermani, nga Lindja e Mesme në Afrikë dhe në Amerikën Latine”.
Përse dixhitale?
Për shkak se shfrytëzon mediat e reja, videot e përhapura në rrjetet sociale, për të dhënë mesazhe dhe kërcënime. Interneti është fushëbeteja në të cilën funksionojnë sipërmarrjet e këtij terrori të ri”.
A është një terrorizëm në gjendje të shkundë Perëndimin?
Jo në kuptimin e rrëzimit të qeverive apo pushtimit të territoreve. Por, pikërisht prej mediave digjitale që përdor, është një terrorizëm i ndryshëm nga ata të së kaluarës. Në Londër, gjatë Luftës Civile të IRA-s në Irlandën e Veriut, ishte frika e vazhdueshme e hedhjes në erë të pub-eve. Dhe shqetësime të ngjashme janë ngritur në dekadat e fundit në pjesën tjetër të Evropës. Tam-tami dixhital, megjithatë, bashkon veprimet e individëve, i bën të ndihen pjesë e një lëvizje unike, e cila sot mund të ketë një bazë në Siri dhe Irak, në territoret e Shtetit islamik, por vepron kudo. Dhe kjo është një luftë në të cilën disa mijëra, apo edhe disa qindra njerëz mund të bëjnë dëme të mëdha, jo vetëm të menjëhershme, me viktima, por edhe më vonë, me nxitjen e masave më të ashpra policore, si dhe duke ndryshuar sjelljet tona të përditshme”.
Deri sa të ndikojnë, ndoshta edhe në zgjedhjet amerikane?
Frika e terrorit pa dallim gjithnjë i favorizon populistët. Veçanërisht në një kohë si kjo, kur kaq shumë kriza kryqëzohen mes tyre.
Kujt i referoheni?
Krizës së emigrantëve dhe wordpress në përgjithësi problemit të emigracionit, që Evropa dhe SHBA po i jetojnë si një kërcënim, me pasojat politike që kemi parë në referendumin e fundit britanik, dhe që ne mund t’i shohim edhe në zgjedhjet presidenciale amerikane. Për votuesit e frikësuar, emigracioni dhe terrori janë dy anë të të njëjtin problem.
Edhe dalja e Britanisë nga Evropa mund të sjellë paqëndrueshmëri?
Kjo tashmë është duke ndodhur, jo vetëm ekonomikisht, dhe jo vetëm në Britani. Nëse qeveria e re britanike do të shkojë deri në fund dhe do të zbatojë daljen nga BE-ja, shpërbërja e Mbretërisë së Bashkuar është e pashmangshme. Skocia ka të ngjarë të bëjë një referendum të dytë për pavarësi dhe këtë herë, ndryshe nga dy vjet më parë, do të fitojnë separatistët. Në Irlandën e Veriut tashmë po flitet për një referendum për bashkimin me pjesën tjetër të Irlandës, një projekt që mund të shpërthejë përsëri konfliktin midis katolikëve dhe protestantëve. Pavarësia e Skocisë mund të vërë në lëvizje procese të ngjashme në Spanjë, Belgjikë dhe vende të tjera. Ndërsa fitorja e Brexit mund të shtyjë vende të tjera evropiane për të mbajtur, nga ana e tyre, referendume për t’u larguar nga BE-ja”.
Një skenar shkurajues…
Europa rrezikon që të bëhet copë, pikërisht atëherë kur të gjithë kanë nevojë më shumë për të. Nuk kemi qenë asnjëherë kaq shumë në rrezik, që nga fundi i luftës botërore. Për këtë arsye mund të themi që ka nisur e treta.
La Repubblica – Në shqip nga bota.al