Tre shokët

Ishte koha e duhur për një koncert si ky i Eltonit, Sandrit dhe Redonit

 

Nga Zefina Hasani

Teksa i shikoja bashkë, kokë më kokë, mbështetur mbi pianon e Eltonit, duke kënduar në atë lirshmërinë e kënaqësinë e tyre, mu kujtua që diku në raftet e bibliotekës sime, ku ruaj shkrime të gazetave, revistave e kohëve të ndryshme, duhej të ishte dhe një kopertinë me këta tre çuna dhe rrëfimin e tyre të parë, e shumë të hershëm, për një koncert recital: ashtu të tre bashkë.
Vitin nuk po e kujtoja dot, por kur mbërrita në shtëpi dhe gërrmova, derisa e gjeta atë revistë, pashë se bëhej fjalë për dhjetorin e vitit 2000 (për nostalgji po dua të them dhe se ishte Nr 102 i revistës “Spektër”)
Nëpër rreshtat e shkrimit kuptova se atëherë ata nuk i kishin vënë një emër bashkimit të tyre, ama edhe ashtu thjesht si tre shokë, të bërë bashkë, kishin dëshiruar pikërisht atë ç’ka në fakt arritën ta realizonin vetëm, tani, në majin e 2017-ës, pra 17 vjet më pas.
Atyre mund t’ju ketë dhembur shumë kjo pamundësi, gjithmonë (jam e bindur) për mungesë fondesh. E megjithatë tashmë kanë një fakt para syve, që duhet t’i kënaqë fort: pas kaq pritjesh e përpjekjesh, nëpër kohët që i ndanë (ndoshta pse Eltoni duhej të ikte për ca vite në Amerikë) e i bashkuan përsëri, të vulosur më në fund si 3 muskëtjerët, Elton Deda, Aleksandër Gjoka dhe Redon Makashi erdhën në skenën e madhe të Pallatit të Kongresve, në mbrëmjen e 15 majit, në pjekurinë, lavdinë e kohën e duhur.
Duke plotësuar ëndrrën e tyre, në fakt, ata kryen edhe një mision të madh: sfiduan trendin e muzikës komerciale, që sot bëhet rëndom nëpër studio kompjuterike, pa tekste, pa nota të mirëfillta, të kopjuara e të sajuara e që pastaj këndohen playback.
Në asnjë kohë më shumë se kjo e sotmja nuk do të ishte shijuar kaq fort një koncert i tillë, me artistë e këngë që veç vlerave mbartin histori.
Ndokush mund të thotë se këngët e grupet rock& roll janë bërë tashmë demode. Mendojnë vërtet kështu ngaqë e kanë humbur shansin, një herë e mirë në jetë, për të pasur kulturën që u duhet për ta ndjerë pikë së pari, e pastaj për ta kuptuar se muzika, ashtu si dhe filmi e libri i mirë, sado të vjetërohen nuk mund të bëhen kurrë demode, sepse s’janë si plaçkat që veshim, që hyjnë e dalin nga moda sipas sezoneve.
Kushdo që mendon kështu, s’do të kishte kurrsesi vend në sallën e wordpress Pallatit të Kongresve, mbrëmjen e 15 majit.
Do t’i ketë fyer rëndë të tre muskëtjerët edhe nëse ka blerë ndonjë biletë, thjesht sa për të treguar me ndonjë foto (siç e kërkon moda e rrjeteve sociale) se ishte dhe ai/ajo aty, në eventin e rradhës që zhurmoi Tiranën.
Por fundja ç’rëndësi ka kjo kur shumica në atë sallë këndonte, ngrihej pupthi në këmbë, kërcente, thërriste me shpirt emrat e Tonit, Sandrit e Redonit, e çunave që s’dijnë të bëjnë muzikë ndryshe veçse si ajo që jo vetëm elektrizoi publikun (ku gjeje breza të ndryshëm) por bëri 1000 mijë herë më të fuqishme edhe orkestrën e RTSH-së.
Ishte koncerti që u kish munguar gjatë jo vetëm 3 muskëtjetëve por edhe të gjithë njerëzve që rendën të ishin atë natë në atë sallë.
Në dhjetorin e 2000-shit, atëherë kur mezi i mblodha të tre bashkë për t’ju marrë rrëfim për bashkimin e tyre, ndërsa më tregonin se kënga e parë “Të pranoj kështu si je”, (që e kënduan në festivalin e 1996-ës) u krijua në bodrumin e vogël të një shtëpie, zhytur në avujt e nxehtë të alkoolit, e diskutimeve të gjata me Alqi Boshnjakun, për një tekst të hajrit, Toni, Sandri e Redoni ishin në kulm të entuziasmit se do të ishte e shpejtë dita kur do të mund ta realizonin një koncert recital.
I kishin kapërcyer të gjitha gjykimet e paragjykimet e kolegëve, që ua kishin thënë pas shpine ose sy për sy se nuk kishin qëlluar në shenjë duke bërë bashkë pionierin e rrokut (Sandrin) me këngetarin romantik (Redonin) e me Eltonin që ishte shumë më larg stilit të tyre.
Në kryeneçësinë që u ngurtësohej çdo herë e më shumë, sa dëgjonin këto fjalë, ata vendosën të rrijnë bashkë.
Nëse s’do të kishin qenë aq fort të bindur, vështirë se do të kishin rezistuar deri më sot, pas 17 vjetësh, kur më në fund e realizuan atë koncert.
Dhe sa mirë që bënë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *