Festival “Tomka dhe shokët e tij”, i restauruar, shfaqet në Jerusalem Jewish Film Festival në datë 18 dhjetor 2017. Lajmi bëhet publik nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, përmes një postimi, ku jepen shkurtimisht edhe subjekti i filmit: Lufta e Dytë Botërore, një fshat shqiptar. Një djalosh i vogël, Tomka luan çdo ditë derisa trupat naziste i zënë fushën. “Një skenar i thjeshtë dhe realist, një kamera fluide dhe një tregim mjeshtëror- të gjitha bëjnë një film të jashtëzakonshëm për fëmijë dhe të rritur njësoj”, shkruhet në sajtin e festivalit. Tomka (Eno Zhegu) është një djalë i vogël që i pëlqen të luajë me top së bashku me shokët e tij. Por fushën e futbollit e marrin nazistët që kanë hyrë në qytet. Tomka, nën kujdesin e të rriturve, fillon të organizojë aksione kundër kampit ushtarak që është dislokuar në fushën e tyre të dikurshme të lojës. Me Interpretimin e aktorëve: Sotiraq Çili, Pavlina Oça, Zehrudin Dokle, Artan Puto, Flamur Ilia, regjia është e Xhanfise Kekos. Filmi është restauruar nga laboratorët më të specializuar për materiale audiovizuale në
Amerikë.
Filmi “Tomka dhe shokët e tij” është realizuar nga një grup intelektualësh të talentuar shqiptarë: me regji të Xhanfize Kekos, skenar të Nasho Jorgaqit, muzikë të Aleksanër Lalos dhe dirigjim të Ferdinand Dedës.