Gianni Belluschio
Si do të ju dukej të shkonit nesër te dentisti juaj dhe ai të ju thoshte që dhembja e dhëmballës suaj është shkaktuar nga një krimb dhe nga djaj që banojnë në brendi të dhëmballës? A do ta besonit? Mendoj se jo.
E po mirë.
Në shekullin XVIII në një libër turk për dentistët jepet vizatimi i mëposhtëm, me ngjyra, ku dhëmballa është infektuar me këtë llojë krimbash që aty përfytyrohen si djaj të ferrit që ushqehen me mëkatarët. Në njërën anë të dhëmballës, së ndarë dyshe, shihet Luciferi që kafshon dhe ha viktimat e tij kurse në anën tjetër djalli mbretëron mbi një sasi kockash njerëzish.
Ky mendim, që u konsiderua “shkencor” për një kohë të gjatë vjen deri në shekullin XVIII që prej kohës së Babilonasve.
Si teori kjo u përmbys përfundimisht në vitin 1757 prej shkencëtarit gjerman Jacob Christian Schäffer (1718-1790), dhe fal tij sot e konsiderojmë budalla atë dentist i cili do të vazhdonte të mbështette teorinë e Babilonasve.
E njëjta gjë ndodhi edhe në fusha të tjera të “shkencës” përfshirë gjuhësinë.
Deri në vitin 1854 nuk dihej çfarë ishte shqipja dhe cila ishte origjina e saj. Një pjesë të “autorëve” (të cilët nuk ishin gjuhëtarë të mirëfilltë) e konsideronin shqipen si gjuha më e vjetër, si nëna e të gjitha gjuhëve, si gjuhë hyjnore dhe mundoheshin të shpjegonin fjalë të greqishtes, të latinishtes dhe të disa gjuhëve të tjera nëpërmjet saj, etj. etj.
Pra, po në atë vit doli në skenë gjuhëtari gjerman Franz Bopp (1791-1867) wordpress dhe ai zbuloi e propozoi farefisninë e shqipes me të tjerat gjuhë indo-evropiane duke e konsideruar atë jo në mënyrë mitologjike por si çdo gjuhë tjetër e krijuar me prej njerëzve.
Pas Bopp-it një listë e gjatë gjuhëtarësh të huaj dhe shqiptarë e përmirësuan dhe e rafinuan këtë teori e cila sot konsiderohet “shkencore” dhe u mësohet studenteve në universitetet e të gjithë botës ku mësohet shqipja dhe ku jepet gjuhësia historike.
Tani, a do ta përfillnit sot një pseudo-gjuhëtar i cili, ashtu si dentisti juaj, do të ju thoshte se gjuha shqipe është gjuhë kozmike, hyjnore, nëna e të gjitha gjuhëve të botës dhe që banon brenda dhëmballës suaj dhe mbretëron mbi një kodër budallallëqësh?
A do ta ftonin dentistin tuaj në podiumin e një universiteti shtetëror të mbante ligjërata për studentë dhe profesor dhe këta ta durartrokisnin në sallë?