Nga Luan Rama
Të ndërtosh një «koshere» në Tiranë, duket si një ndërrmarje surealiste, por kur shikon Tiranën që po bëhet dalëngadë një megapol në kufijtë e termit ballkanik, (aq sa Tirana dhe Durrësi po bashkohen), idea e koshereve të artit, siç ka ndodhur në Paris në fillimet e shekullit XX, fillon të të ngacmojë, të të zgjojë, të bën të ëndërrosh dhe të mendosh se ndoshta do të dalë një biznesmen që në vend që të ndërtojë «grataçielën» e radhës, të ndërtojë këtë «koshere» arti dhe të hyjë në histori siç hyri Alfred Bucher, i cili nuk kishte shumë para, por kishte shpirtin e artistit. Ai ishte një artist dhe emri i tij ka hyrë në gjithë librat e historisë së artit, dhe të një arti të madh, pasi në kosheren e tij kishte atelierin e tij të vogël një Modiliani, një Shagall, një Kisling, Vlaminck, etj. Ku punojnë artistët tanë sot, në çfarë studiosh dhe me çfarë përpjekje kolosale për të paguar atelietë e tyre. Vallë a mund t’i ndihmojmë ata që një koshere atelierësh të arrijë t’i mbledhë «bletët» puntore për të na dhënë një «mjalt» të rrallë, atë të një arti spikatës, e që artisti të mos vuajë dhe aq për kushtet e krijimit, por për vlerën e artit. Çfarë dha Alfred Bucher? Çfarë mund të japë një biznesmen, apo një institucion shtetëror?…
Ishte e çuditshme që në kohën totalitare, ai shtet që ishte, mendoi të krijonte një grup atelierësh njëri pranë tjetrit, të krijonte kushtet për atë aleancë artistësh, pavarësisht nga qëllimet e propagandës për të cilën kishte nevojë. Një ditë në Paris, mikja ime Feliçeta Jakoel, donte që ta shikonte se ku ndodhej «La Ruche» («Kosherja») për të cilën kishte lexuar shumë, pasi atje në gjysmën e parë të shekullit XX kishte patur shumë artistë hebrenj të ardhur nga Evropa lindore, ata që krijuan pra atë që quhet në historinë e artit «Ecole de Paris». – Eja, e kam pranë shtëpisë time, aty pranë kopshtit «Brassens». Dhe ne shkuam, drejt asaj koshereje më shumë se një shekullore, ku dikur kishin lënë gjurmë artistët e mëdhenj të pikturës, skulpturës, muzikës, vetë artit. Artistët janë ende aty, pasi kosherja vazhdon të funksionojë, gjeneratë pas gjenerate, ashtu siç kishte dashur dikur Bucher, i njëjti kompleks, i paprekur, me të njëjtën arkitekturë, mjedise, ku prodhohet «mjaltë» nga bletë që vijnë nga shumë larg.
«La Ruche» në frëngjisht do të thotë pra «Kosherja e bletës». Kur kishte parë strukturën metalike të ndërtuar nga Gustave Eiffel për Ekspozitën Universale të Parisit më 1900, (ku prodhuesit e verës së Bordeaux-së prezantuan verërat e tyre), Alfred Boucher mendoi që aty mund të vendoseshin artistët: ato 60 atelierë të vegjël, do të krijonin së bashku një koloni të vërtetë arti, ku mes tyre do të krijonin dhe shumë piktorë nga vendet e Europës së Lindjes, të Spanjës, Rusisë, etj. Atje erdhën dhe piktorët e rinj si Soutine, meksikani Diego Rivera bashkë me gruan e tij, japonezi Fuxhita dhe Van Dongen, kiliani Zarate që gjeti Modilianin e vdekur, skulptori Zadkin, etj. Ishte një qendër e vërtetë kulture, ku ata jepnin shfaqje teatrale, recitale, muzikë folklorike. Aty ishte strehuar një çast dhe Trotski dhe Lenini, që në «Closerie de Lilas» bisedonin për revolucionin që duhej bërë në Rusi.
Kur kujtonte vitet e tij në «La Ruche», Shagall shkruante në kujtimet e tij se «atje midis katër mureve dhe unë u bëra piktor. Në Paris më dukej se po zbuloja gjithçka. Asnjë akademi nuk do më mësonte më shumë se Parisi, pasi shikoja muzeumet dhe vitrinat e tij…» Ndërsa Soutine me atelierin e tij në «La Ruche», kur kujtonte më vonë Modilianin, thoshte se «Gjithë gjenia e Italisë ishte te Modiliani!» Pas një eksperience disa vjeçare në Montmartre, ku Modiliani zbarkoi në vitin 1906 dhe punoi në atelietë e «Bateau Lavoir», (ku punonin gjithashtu Picasso e të tjerë), ai u shfaq në “La Ruche”. Atje ai përjetoi kohën e kubizmit dhe të futurizmit, të cilit Modi i qëndroi larg dhe ku filloi dehjet e para, duke fituar bukën e gojës me skicat e portretet e tij që shiste në bistrotë e Montmartre-s. Piktori i ri nga Livorno e Italisë, biri i një socialisti italian që do të burgosej për idetë e tij, kishte ardhur të krijonte artin e tij. Por disa vite wordpress më pas, artistët pothuaj u shpërngulën pothuaj të gjithë drejt Montparnasse, shumica në «La Ruche», siç e përshkruan dhe Shagall në kujtimet e tij.
«La Ruche, kështu quheshin rreth njëqind atelierë me një kopësht të vogël, pranë therrtoreve të Vaugirard. Ato atelierë banoheshin nga artistë bohemë të ardhur nga e gjithë bota. Ndërkohë që në atelierët rusë qante ndonjë modele e fyer, kur tek italianët dëgjohej kënga dhe tingujt e kitarrës dhe te hebrejtë debatet e tyre, unë isha vetëm në atelierin tim para llampës së vajgurit. Përreth kisha plot tablo, telajo apo më mirë dhe çarçafë apo këmisha copë-copë. Në orën dy-tre të mëngjezit, qielli ishte blu. Agimi shfaqej. Tutje, më larg, thërresin bagëtitë, lopët pëllisnin dhe unë pikturoja. Kështu e gdhija gjithë natën, netë me rradhë. Prej një jave atelieri im nuk ishte pastruar. Pjesë shasish, lëvozhga vezësh, kutia të hapura mishi që dergjen atje… Llampa ime digjej dhe unë bashkë me të. Digjesha gjer në blunë e mëngjesit. Pikërisht atëherë shkoja të flija në masandër. Në fakt do duhej të dilja në rrugë për të blerë me kredi një «croissante» të ngrohtë, por ç’e do, bija të flija. Pak më vonë vinte gruaja e pastrimit. Nuk e dija nëse vinte për të vënë rregull apo kishte dëshirë të ngjitej tek unë. Në telajot pranë, qëndronin dhe riprodhime që kisha bërë nga El Greko, Cezanne, mbit ë cilat vija peshqit që blija dhe që haja pjesën e sipërme në fillim dhe pastaj gjysmën tjetër. Mendoja se ndoshta vinte Cendras për të ngrënë drekën me të. Por para se të vinte ai qëndronte pak kohë jashtë gjersa të vishesha, sepse unë kur punoja, rrija i xhveshur sepse nuk i duroja rrobat në trup, madje nuk më pëlqente fare të vishesha apo të mendoja për veshjen time. Askush nuk më bleu atëherë një tablo, vetëm një herë Zoti Malpel më ofroi 25 franga për një tablo që e kisha prezantuar në Sallonin e Pikturës dhe që nëse nuk e shisja, t’ia jepja atij për aq para. Sigurisht, përse duhej të prisja!… Unë isha një tip i veçantë. Për të më ngacmuar, shokët më hidhnin këpucë në dritaren time të ndriçuar, meqë unë punoja natën, kur të tjerët bënin festë e dashuri…”
Ja pra, kjo ishte «kosherja» e Parisit, atje ku u mblodhën impresionistët, kubistët, anarkistët, anglezë, rusë, skandinavë, japonezë, amerikanë… «kosherja» ku vinte doktor Barnes, koleksionisti amerikan që i blente këto vepra për pak para dhe krijoi një nga koleksionet më të vyerit e botës; atje ku këta artistë nuk e bënë artin e tyre për tu pasuruar por si një nevojë për të jetuar, një nevojë shpirti; atje ku ishte simbioza e artit, piktura, skulptura, muzika, poezia e një Cendras, Apollinaire apo Max Jacob, teatri e arkitektura; atje ku modelet pozonin gratis për këta vafanjakë bujarë, bohemë të lirisë artistike dhe të një arti të madh.
Dhe unë pyes veten: po në Tiranë, a do ta kemi një ditë një “koshere” për një gjeneratë të re artistësh, një kompleks me atelierë të vegjël, sa për të krijuar e jetuar thjeshtësisht, me një qera të vogël si dikur Modiliani, Shagall, Kisling… A do ta prekë kjo thirrje një institucion të kulturës? A do ta prekë një biznesmen që në vend që të vazhdojë me shumfishimin e milionave të tij të bëjë dhe një vepër bujare, një kompleks atelieresh me hekur, dru, xham… të ndërtojë një “koshere” sç bëri Bucher që mbeti në histori. Milionerët e dikurshëm janë harruar, por Bucher mbijetoi me veprën bujare të tij. 30-40 atelierë nuk janë shumë për të hyrë në një histori arti, për të patur nesër një ”koshere” për artistët tanë. A do ta kemi fatin të shohim këtë aventurë të bukur njerëzore? Thjesht, një “koshere”!…