“Thelbësorja në jetë” libri i shkrimtares gjermane Iris Hanika promovohet në datën 27 shtator, ora 12:00, në sallën “Aleks Buda” tek Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Libri tregon historinë e dy personazheve në moshë të mesme, që janë pothuajse çdo ditë të përfshirë nga e shkuara naziste. Ata mendojnë se janë të palumtur, ndaj përpiqen të jetojnë si të mundin, duke mos ditur e duke mos arritur të luftojnë kundër historisë. Romani është provokues, pasi thelbësorja transformohet në diçka mjaft të ndryshme për gjithsecilin.
Graciela, e përfshirë në një marrëdhënie me një burrë të martuar, gjen thelbësoren te shkëmbimet seksuale; për Hansin është arkivi i kompjuterizuar i institutit ku punon; për shoqërinë gjermane thelbësorja është të vazhdojë të ndriçojë atë çka është e errët, të hedhë dritë mbi të shkuarën, të gdhendë emrat e të internuarve mbi gurët e kalldrëmeve, apo të ngrejë monumente çimentoje në kujtim të përjetshëm të historisë…
Një roman i përkryer, i guximshëm dhe i rrezikshëm për atë çka përmban, por i fortë dhe i këndshëm për t’u lexuar.
Iris Hanika lindi në Ëürzburg, jeton në Berlin. Pasi mbaroi liceun, ndoqi studimet për wordpress Letërsi të Përgjithshme dhe të Krahasuar në Universitetin e Lirë të Berlinit. Fillimisht punoi si përkthyese dhe gazetare e pavarur. Më pas si kritike për librat politikë në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe si redaktore në revistën “Merkur”.
Ajo u njoh si shkrimtare me romanin e saj të parë “Katerina ose ekzistenca e detyrimit”. Iris Hanika është vlerësuar me çmimet: “Hans Fallada” të qytetit Neumünster (2006), si dhe Çmimin Europian për Letërsinë në nëntor të vitit 2010 për romanin “Thelbësorja në jetë”.