Nga Natan Zach
“s’është dhe aq e lehtë. Veç një zog
mund t’ia dalë dhe s’e ka parë kush.
Parakusht është, afërmendësh, hiri. Hédha,
prushi në daç, hiri cigares, thuajse hiçi.
Po të mos kesh hi, copëza poçesh të bëjnë punë,
suvaja e thërrmuar, një shembje çfarëdo, rrënojash.
Asgjë që s’është biologjike, as ekologjike.
Një tjetër kusht është aftësia për t’u çuar
dhe të qëndrosh përsëri me këmbët e tua pas rënies
si në një ndeshje mundësish:
je prapa me pikë, mundësitë që të fitosh
janë të pakëta, mbështetësit të kanë braktisur,
duke menduar për shtëpinë dhe një darkë të vonë.
Në rini pata takuar dikë i cili u çua prej hirit
(Vërtetë them!)
Çdo të dielë (prej hirit të Shabatit)
dhe çdo të premte – prej hirit të ditëve javore.
Si ai janë të paktë; një mjeshtër në punë të çuarish,
bash si artisti kafkian që mbante kreshmë*. Por, për cilindo që çohej
njoh shumë pak që s’arritën.
Disa digjeshin në flakë përditshmërie, nga ato të vocklat, si kandil me vajguri,
të tjerë merrnin flakë përnjëmend, bubulak,
a si flakë gëmushe me buçitje borishë dhe ambulancash.
Dhe s’ka dallime gra-burra në këtë mes
mashkulli derr shovinist që merr flakë
si më e mira e femrave, seksi i dobët.
Dhe wordpress s’bëhet fjalë as për dallime moshe.
Disa digjen të rinj, ca të tjerë të moshuar.
S’ka njeri që s’do i vijë dita.
As dallime zanatesh s’ka: të kollarisurit shpërthejnë gjithaq!
Bash si nënpunësit apo zotërinjtë e profesioneve të lira. Përkundër zërave
se ata janë të mbrojtur nga zjarri.
Veç pak do të çohen në gjunjë a mbi këmbët e tyre.
Megjithatë s’duhen humbur shpresat. Përkundrazi,
çdo vrojtues zogjsh mund t’ua pohojë: feniksi s’është
një krijesë mitologjike. Është këtu mes nesh.
Anipse tejet i rrallë.”
*Bëhet fjalë për personazhin kryesor të tregimit të Franz Kafka-s me titull “Një artist i uritur” (Ein Hungerkünstler), botuar në vitin 1922.
Shqip – Edon Qesari