Nga Arlind Qorri
1. Ky mesazh nuk u drejtohet atyre maturantëve që kanë në mendjen e tyre preferencë të parë një universitet privat, por shumicës dërrmuese të cilët kanë renditur te preferencat një degë privati vetëm nga frika se mos mbesin pa shkollë.
2. Qeveria ka pasur për synim që të prodhojë panik midis jush. Pikërisht që nga paniku i të mbeturit pa shkollë të shkoni pa dëshirë e kokulur drejt universiteteve private.
3. Mos u regjistroni në universitetet private, të paktën deri në datë 19 tetor! Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dita e fundit e regjistrimit është 20 tetori.
4. Regjistrimet pas raundit të parë të aplikimeve kanë nisur. Meqenëse një pjesë e konsiderueshme studentësh mund të kenë fituar në 10 degë, në fund të këtij raundi secili prej fituesve do të lërë të lira 9 prej tyre.
5. Në 22 shtator fillon raundi i dytë i aplikimeve, ku secili prej jush ka sërish nga 10 alternativa. Zgjidhini ato në varësi të interesit tuaj studimor dhe largësisë së pikëve nga vija e kuqe e fituesit të fundit!
6. Mos harroni se pas shpalljes të fituesve në këtë raund, mund të ndodhë sërish që një pjesë e konsiderueshme e tyre të kenë zënë nga 2 deri në 10 degë. Secili prej tyre do të zgjedhë vetëm një prej tyre.
7. Kështu, në fazën e dytë të raundit të dytë do të lirohen sërish kuota në universitetet publike. Këtu nuk keni më 10 alternativa, por mundësi që, nëse jeni sipër vizës së kuqe (pasi të jenë regjistruar fituesit e fazës së parë të raundit të dytë), të regjistroheni në njërën prej tyre.
8. Edhe nëse jeni poshtë vizës së fituesve, jo të gjithë ata që janë sipër jush do të zgjedhin të regjistrohen në degën që preferoni ju. P.sh. një student, pas rënies së listës, mund të regjistrohet edhe në degën e shkencave politike, edhe në atë të sociologjisë. Mirëpo vetëm te njëra do të regjistrohet.
9. Problemi është se faza e dytë e raundit të dytë zgjat vetëm katër ditë (16-20 tetor). Gjithsesi nga tronditja dhe reagimi shoqëror i këtyre ditëve, qeveria do të detyrohet ta shtyjë afatin. Kështu që duroni deri në fund dhe ndiqni ditë pas dite se deri ku do të bjerë lista e të regjistruarve!
10. Vetëm atëherë kur në të gjitha degët e universiteteve publike ku keni aplikuar është regjistruar edhe studenti i fundit, mund të shkoni tek universitetet private. E di që për ju është poshtëruese të studioni në to, përndryshe do t’i kishit zgjedhje të parë dhe do të ishit regjistruar që sot. Por mos u shkurajoni deri në fund! Luftoni aty brenda që të mos ju trajtojnë si klientë në dyqanin e mishit! Organizohuni me njëri-tjetrin, kërcënoni me bojkot, kërkoni reduktim të tarifave të privatit, bllokojeni pronarin që ju sheh vetëm nga xhepi!
11. Për më tej: Padrejtësia që po pësoni ju sot është vetëm një nga 1001 padrejtësitë që shtresa të gjera shoqërore pësojnë në Shqipëri. Bëhuni me njëri-tjetrin dhe me këdo që pëson padrejtësi për të fituar një grusht biznesmenësh dhe politikanësh! Vetëm kështu mund t’ia dalim. Kjo është e vetmja botë ku mund të jetojmë. Ndaj duhet ta bëjmë tonën me çdo kusht.