Një ekspozitë, një përpjekje për të kthyer vëmendjen në një kapitull të pashkruar të historisë së arkitekturës shqiptare; në trashëgiminë e realizmit socialist. Duke hedhur vështrimin në një periudhë me aktivitet ndërtimor intensiv dhe duke vlerësuar të thyer tabunë e përballjes me historikun e zhvillimit të vendit gjatë komunizmit, synohet të evidentohen vlerat arkitektonike e ndërtimore të periudhës 1945 – 1990.
Ekspozita fokusohet në studimin e ndërtesave në shërbim të transportit në Shqipëri, si një tipologji arkitektonike, evoluimi i së cilës nuk është trajtuar më parë. Në këtë kategori përfshihen të gjitha llojet e transportit, duke filluar nga ai automobilistik, hekurudhor, detar e deri tek ai ajror. Këtyre ndërtesave u jemi referuar me termin ‘stacione’, ku, në aspektin arkitektonik, më të hasurat dhe më domethënëset janë stacionet hekurudhore që shpeshherë shërbenin edhe si stacione për autobusët ndërqytetës.
Përmes njohjes, studimit dhe vlerësimit të këtyre ndërtesave, synohet të nxitet vëmendja për ruajtjen e vlerave historike dhe arkitektonike që ato mbartin. Në këtë kontekst, qëndrimi ndaj ndërtesave të stacioneve përkthehet në ridimensionim të dialogut të tyre me qytetin bashkëkohor.
Fragmentet nga arkitektura e stacioneve të paraqitura në këtë ekspozitë, janë pjesë e një mozaiku më të gjerë arkitektonik, social, kulturor dhe politik. Nëpërmjet dokumentimit dhe njohjes së copëzave të këtij mozaiku, synohet të plotësohet gradualisht tabloja e një realiteti të mjegulluar, herë nga harresa dhe herë nga refuzimi i një të kaluare mbi të cilën mbështeten dhe zhvillohen strukturat e sotme urbane. Vështrimi tipologjik i arkitekturës shqiptare, në periudhën 1945 – 1990, vjen si nismë për të njohur vetveten përmes arkitekturës dhe për të hedhur dritë mbi trashëgiminë e një periudhe me shumë hije.
Ky projekt u përgatit dhe u kurua nga: Denada Veizaj, Gjergj Islami, Gjergj Thomai dhe Alban Hidri, Ana Pekmezi, Besard Bashaj, Idlir Sema, Rabina Ajdini me mbështetjen e : Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Ministria e Zhvillimit Urban, Arkivi Qëndror Teknik i Ndërtimit, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Qendra Rinore Tiranë