“Sonte do të luajmë pa tekst”, nga dramaturgu, shkrimtari dhe poeti italian Luigi Pirandello do të rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë.
Shfaqja, e cila mbylli me sukses sezonin artistik 2015-2016, do të ngjitet në skenë në datat 6-7-8-9 tetor në orën 19:00.
Me regji nga Driada Dervishi, skenografi: Driada Dervishi dhe Desantila Lika, kostumografe: Desantila Lika, koreograf: Elton Cefa Muzika: Sokol Hidersha dhe Metila Dervishi. fizarmonika: Elton Balla, balerinë: Frenki Ziaj, Mateo Nushi, Evisa Lazri, në këtë komedi interpretojnë Dritan Boriçi, Adelina Muça, Met Xhelili, Sokol Angjeli, Olta Daku, Niada Saliasi, Olta Gixhari, Amos Zaharia, Besmir Bitraku, Gent Hazizi, Neritan Licaj, Marsel Rupi dhe me pjesëmarrjen e Yllka Mujos.
E shkruar në Berlin në vitin 1929, “Sonte do të luajmë pa tekst” është pjesa e tretë e trilogjisë, pas “6 personazheve” dhe “Secili sipas qejfit së tij” . Kjo komedi e mbështetur në një nga novelat e Pirandellos “Lamtumirë Leonora”, përfshin problematikat e një sërë raportesh si ai : dramaturg – regjisor, regjisor – aktor, aktor- publik.
“Sonte do të luajmë pa tekst” është një vepër e ndërtuar brenda një konflikti thelbësor, (që zhvillohet në sy të publikut) një konflikt mes regjisorit që do të imponojë rregull e formë edhe kur improvizohet dhe aktorëve që duan t’u japin jetë personazheve. Pirandello lëviz këtu, rreth temës kryesore të veprës së tij : teatri dhe mekanizmat e tij. Nëse në dy veprat e para të trilologjisë, teatraliteti është ngjizur si një tentativë shpëtimi prej jetës, këtu teatri është një iluzion.