Nga Monika Lubonja
“Shembja e shtëpisë Asher” u ngjit dje në Teatrin Kombëtar të Kukullave. Tek rrija e strukur në kabinën e biletarisë, me frikën e radhës për spektatorin e sapolidur të kësaj skene të re, mendoja që ne jemi një spektator që e duam teatrin kudo ku ai zhvillohet. I duam artistët tanë kudo ku ata luajnë. Një spektator që duartroket kudo ku përcillet një shfaqe e bukur. Sepse arti nuk njeh vetëm salla të medha arti. Artistët e zhvillojnë artin e tyre në të gjitha skenat, të medha dhe të vogla. Mandej edhe në rrugë.
Çfarë nuk mendoja në ato çaste të paduruara ankthi. Kur një zë spektatori më ndërpreu mendimet. “Dua dy bileta”, më pas një tjetër : “Dua tre bileta”, “dua dy, për sot, po dua dhe katër për të shtunën” dhe kisha frikë akoma të ngrija kokën, se mos ndërprisja atë hov të ardhjes së spektatorit. U ngrita dhe vrapova të gjeja një cep ku mos të më shikonte njeri “bashkova duart dhe thashë: “Faleminderit o Zot po vjen dhe një sallë e vogël e re për artistë, po një sallë nga më të vjetrat, më të bukurat, një sallë ku janë ngjitur shumë artistë të mëdhenj që sot nuk janë më.
U çlirova kur pashë që salla po mbushej. Nuk kam fjalë të përshkruaj emocionin dhe gëzimin që kisha mbrëmë.
Shfaqja po niste…Laerti, Luli, Gjergji, ishin aktorë që besuan për të ardhur në këtë skenë kaq të bukur, në këtë skenë kaq të ngrohtë, në këtë skenë ku dhe spektatori bëhet partneri yt më i dashur. Faleminderit miq, faleminderit artistë që iu bashkuat idesë sime për të sjellë dhe për të hapur në zemër të Tiranës një nga skenat më të vjetra, po sot është skena teatrore më e re që po vjen këtë fundjavë për spektatorin e Tiranës.
Prapë m’u desh të strukesha, kësaj radhe si spektatore. U ula në fund, pastaj u shtyva, pak më vonë vajta në fillim, më kishte përpirë pjesa, magjia e teatrit, shumë herë u perlota. Autori Edgar Allan Poe, një vepër e mrekullueshme. Me lojën e mrekullueshme të Laertit, me maturinë dhe gjendjen emocionale të Gjergjit, me mençurinë e përzgjedhjes së pjesës dhe elegancës së interpretimit të Lulit, unë isha e përfshirë e tëra në këtë teatër të bukur. Duartrokitjet herë pas here që u bënë pjesë e shfaqjes, më çliruan plotësisht që ky teatër dhe kjo skenë do funksionojë më së miri. Shfaqja mbaroi. Duartrokitjet vazhduan gjatë.
Në të dalë shumë veta diskutonin, “E kemi parë dhe në TK, ishte diçka krejt ndryshe”, të tjerët shikonin ambientet dhe pyesnin. Disave u shpjegoja dhe për atë muze të vogël që është krijuar për ata artistë të vjetër të atij teatri. Shikoja habi, shikoja interes për këtë teatër që ka magji pafund. Një spektatore më tha: “Kam ardhur me mbesën. E njoh mirë këtë teatër, po sot në këtë moment mendova se isha në teatër tjetër. Ju lumtë. Do vij përsëri”.
Lumturia ime ishte e madhe kur dëgjoja “bravo, bukur, interesante”, jo se unë po sillja një risi si drejtuese e këtij teatri, por se po bëja një detyrë brenda qenies sime si aktore, për t’u thënë të gjithë artistëve se kemi dhe një sallë tjetër, ejani të punojmë, të mos rrimë nëpër klube e të shajmë njeri-tjetrin.
Mos i paragjykoni sallat, salla ka! Të mëdha dhe të vogla. Spektatori na do dhe na vjen kudo ku ka vepra të bukura! Jemi ne ata që duhet të bëjmë më shumë për endrrën tonë, pasionin tonë. Unë e dua teatrin dhe jam idealiste për të. Dhe besoj kudo ku e bëj atë.
Ju faleminderit spektator i mrekullueshem që zgjoveTeatrin Kombëtar të Kukullave, kur dje ishte nata e premierave tek TK dhe vazhdonin shfaqjet tek Teatri Eksperimetal “Kujtim Spahivogli” dhe Teatri Metropol.