GIUSEPPE CONTE
Por tash u ktheve: je veç
vetvetja. Përtej derës
e di ç’të pret. Është shtëpia jote.
Tryeza e gjatë prej kristali e hekuri
përballë dritares ku agimeve
valëzojnë gjethe palmash
të pret, palëvizshmëria, qoshja
ku gjenden telefoni dhe faksi,
gazetat cip mbi cip, posta,
stiva e librave, çeqet.
Në mbrëmje televizorin do ndezësh
do provosh penat e tua, prej argjendi e floriri
që tanimë kaq rrallë i përdor.
Do të shohësh pikturat me trëndafilë, kodrat
dhe hënën, klepsidrën, xhamin
e saj, trupin e metaltë dhe rërën që rrjedh.
Gjithçka është e përkryer, e mbrojtur
nga xhami dhe pluhuri. Por ti
mos harro, kurrë s’ke qenë i lumtur,
kurrë brenda vetes dhe brenda mureve
të një shtëpie.
Përktheu: Beti Njuma