Këngëtarja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha do të prezantojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve “MTV EMA”, në 6 nëntor në Roterdam, Holandë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Bebe Rexha shkruan “jam shumë e emocionuar për të prezantuar “MTV EMA” në Roterdam këtë vit”.
Përveç prezantimit, Bebe Rexha do të performojë teksa është edhe në garë për dy çmime. Bebe Rexha, është nominuar në kategoritë për “Interpretimin më të mirë” dhe “Ylli më i mirë i ri”, ku në këtë të fundit ajo është në të njëjtën kategori me shqiptaren tjetër Dua Lipa, dhe të dyja do të jenë në garë për të rrëmbyer këtë çmim.
Ky vit ka qenë i suksesshëm për këngëtaren , pasi ka shitur më shumë se 10 milionë single-s, ka arritur 1 miliard dëgjime në Spotify dhe më shumë se 1.3 miliardë klikime në Youtube dhe Vevo.
Bebe Rexha,këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare lindi në New York në vitin 1989 nga prindër shqiptarë. Nisi të këndonte në moshën 4-vjeçare, por krahas këngës ndoqi edhe pasionin për disa instrumente muzikore. Gjatë shkollës së mesme, Bebe Rexha ishte pjesë e një bande muzikore femërore.
Rexha është e njohur për hitet me të cilat ka fituar zemrat e adoleshentëve dhe të rinjve në mbarë botën, ndërsa nuk janë të pakta edhe bashkëpunimet me emra të njohur të muzikës, si David Guetta, Pit Bull, Nicky Minaj etj Ndër hitet e saj përmendim “No broken hearts” apo “I can’t stop drinking about you”, të cilat i dhanë hov suksesit të saj si këngëtare.
Shqiptarja me origjinë nga Dibra një muaj më parë dha një një koncert madhështor në Tiranë.