Piktori i njohur zviceran Frank Buchser gjatë udhëtimeve të tij në Ballkan në shekullin e ’19 u poq edhe me shqiptarë. Njërin prej tyre e përjetësoi si «Shqiptari në pritë», në vitin 1884 në Korfuz.
Kjo pikturë ruhet edhe sot në Muzeun e Artit në Solothurn të Zvicrës.
Nga Enver Robelli
Frank Buchser (1828-1890) ishte piktor dhe aventurier. Në shekullin e ’19, kur bota perëndimore po industrializohej, civilizohej dhe materializohej, ai mori rrugën drejt Ballkanit. Atje shpresonte të gjente botën e paprekur, zanafillore, njerëz që jetonin në paqe me natyrën. Në Ballkan dhe në Greqi ai njohu traditat, trevat dhe njerëzit nga afër. Buchserit i pëlqente të vizitonte vendbanime të vogla, katunde, para së gjithash në Korfuz të Greqisë. Si të thuash përballë Sarandës ai në vitin 1884 paraqiti «Shqiptarin në pritë». Kjo pikturë ruhet edhe sot në Muzeun e Artit në Solothurn të Zvicrës.
Shqiptari i portretuar nga Buchser ka nxjerrë shpatën nga këllëfi dhe e mban të gatshme mbi gjunjë. Ai mund të jetë luftëtar për liri, bari ose kusar – nuk është e mundshme të dihet se ç’është tamam. Ndoshta të gjitha nga pak. Është i veshur me fustanellë, s’ka si të jetë ndryshe, duke pasur parasysh se Buchser shëtiste në një rajon etnikisht të përzier greko-shqiptar. Qeleshja – zakonisht e bardhë si bora – këtu ka një ngjyrë të vrugët dhe trajtën e dardhës. Mbi fytyrën e tij bien rrezet e diellit dhe e karakterizojnë edhe më shumë fuqinë e jetës. Trupi i shqiptarit shkëlqen si i ndriçuar prej zjarrit. Në prapavijë një natyrë e virgjër lulëzon pafund, larg në pafundësi shihet borë në kodrat e larta. Kësisoj, Buchser ka krijuar një harmoni të madhe mes njeriut dhe natyrës. Këtu shqiptari paraqitet si kryengritës liridashës që mbron ambientin e tij.
Buchser e kishte ruajtur këtë pikturë deri kur vdiq në moshën 62-vjeçare i dërrmuar nga problemet me zemër dhe astma. «Shqiptarin në pritë» Buchser e kishte pikturuar në moshën 56-vjeçare pas një jete intensive me punë, suksese, luftëra dhe zhgënjime. Buchser e donte botën, rrjedhimisht ai ishte një kohanik i interesuar për kultura dhe gjuhë të ndryshme: fliste frëngjisht, italisht, spanjisht, anglisht, madje mësoi edhe disa fjalë arabisht. Athua ka ditur edhe greqisht dhe shqip? S’ka dëshmi për këtë. Si i ri ai donte të bëhej pianopunues, por pas rrahjes me mjeshtrin e tij (për shkak të vajzës së mjeshtrit), ai iku nga Berna dhe mori botën në sy. Shkoi në Paris dhe pastaj në Romë, ku shpresonte se do ta ndihmonte një kushëri, i cili ishte drejtor i Akademisë Franceze. Nuk e takoi këtë kushëri dhe për të mbijetuar ai dhe vëllai i tij u bënë gardistë të Gardës Zvicerane të Vatikanit. Ndoshta në Vatikan ka dëgjuar për herë të parë për shqiptarët, kushedi. Në Mesjetë njëri prej tyre, i njohur me emrin Konstantin Araniti, arriti të bëhej komandant i Gardës Zvicerane në Vatikan. Si shqiptarët edhe zviceranët kanë një përvojë të gjatë historike si mercenarë, si luftëtarë në shërbim të fuqive të tjera. Në vitin 1499, në luftën e Italisë Veriore në të dyja anët ndërluftuese u gjendën mercenarë zviceranë, djem muskulorë që kishin braktisur malet për të fituar ndonjë para si luftëtarë. Në vitin 1858 Buchser, i maskuar si shefi arab, nga Spanja shkoi në Fes të Marokut. Ky ishte një udhëtim tejet i rrezikshëm, sepse të bardhët e kishin të ndaluar të shkonin në Fes.