“Shqipëria në Bienale, pa arkitekturën e aplikuar”

“Shqipëria në Bienale, pa arkitekturën e aplikuar

Nga Valeria Dedaj/Shekulli

Arkitekti Artan Raça u përzgjodh që të përfaqësonte vendin tonë në “In practice”, aktivitet që quhet “Jashtë Bienales” së Arkitekturës në Venecia. Ndërsa paralelisht Pavijoni i Arkitekturës së vendit tonë prezantohet me temën “Të kam lënë malin”, kuruar nga Simon Battisti, Leah Whitman-Salkin dhe kolektivi dizenjues Åbäke. Nëpërmjet këtij përfaqësimi artistët i përgjigjen temës “Raportim nga Fronti” të kuratorit të Bienales Alejandro Aravena, duke kërkuar që të tregohet për një gjendje, e cila ka përcaktuar tkurrjen urbane të Shqipërisë: arkitektura e zhvendosjes dhe migrimit. Tekste rreth arkitekturës së zhvendosjes nga shkrimtarë, poetë, antropologë dhe krijues të skenës sonë dhe ndërkombëtare, që interpretohen nga këngëtarët iso-polifonikë shqiptarë, duke u dëgjuar në pllaka gramafoni 30cm, gjatë gjithë kohëzgjatjes së Bienales së Venecias. Por çfarë mendon për këtë arkitekti Artan Raça. Ai gjatë një bisede për “Shekulli”-n ndalet te elemente të arkitekturës shqiptare, të cilat, sipas tij i munguan Pavijonit tonë në Bienalen e Arkitekturës në Venecisa.

-Zoti Raça sapo jeni kthyer nga Bienalja e Arkitekturës. Ju morët pjesë në një nga aktivitetet që u zhvillua gjatë kësaj Bienaleje, ose ne ato qe quhen “Jashtë Bienales” në “In practice”. Çfarë mund të na thoni për këtë përfaqësim tuajin, në një botim që përmblidhte 37 arkitektë të Evropës?

Ishte një rast shumë i mirë për të kuptuar dhe për t’u matur me nivelin e arkitekturës botërore, por dhe për të qenë koherent me shqetësimet e arkitekturës sot në botë. Kuptohet se problemet e arkitekturës sot në Shqipëri nuk janë të njëjta me ato në botë, por shumë probleme na takojnë edhe neve.

-Tematika e Bienales “Raportim nga Fronti”, sa interes ka për arkitekturën tonë?

Pavarësisht se ka pasur edhe kritika për tematikën e Bienales, “Raportim nga Fronti”, mendoj se ka qenë me shumë vlerë. Është hera e parë që në një ndër aktivitetet më të mëdha të promovimit të arkitekturës diskutohet për arkitekturën që rri e heshtur, për arkitekturën e vogël, për arkitekturën e zonës gri, të cilën njerëzit kanë nevojë ta shohin. Për mua kuratori i saj Alejandro Aravena ka gjetur një temë të mirë dhe interesante, prandaj mendoj se mund të shihje një arkitekturë me shumë vlera, që vinte pikërisht nga fronti.

-Përse mund të shihje?!

Mendoj se Bienalja ka problematikat e veta. Vihet re vende-vende tendenca për ta bërë shumë artistike, duke e afruar me Bienalen e Artit. Këtu qëndronte mendoj edhe problemi i Pavijonit tonë. Ai për mendimin tim edhe pse artistikisht i arritur mund t’i përkiste më shumë një Bienaleje Artit, i cili zhvillohet vitin tjetër, sesa Pavijonit të Arkitekturës.

-Cilat janë ato detaje që ju krijuan këtë bindje?

Thjesht, mendoj se ishte larg temës dhe mungonte arkitektura e aplikuar me gjithë botën e saj, të dukshme dhe të padukshme.

-Pra mendoni se vendi ynë duhet të kishte një përfaqësim me probleme të arkitekturës?

Po. Duhet të kishte një përfaqësim për problemet arkitekturore. Fakti që tema ishte e tillë, dhe ndoshta është hera e parë që vjen një e tillë, prandaj Shqipëria mund të gjente veten më mirë sesa në çdo Bienale tjetër. Kjo mund të konsiderohet pikërisht si Bienalja e vendeve që nuk eksportojnë dot arkitekturë në botë. Ne nuk jemi vend që do të eksportojmë ndonjëherë arkitekturën në botë, por do të bëjmë arkitekturë për qytetarët tanë. Prandaj duhet të ishim ndalur te problematikat që ka arkitektura për njerëzit e thjeshtë. Për mua Shqipëria duhet të çonte problematikat që fshihen pas krijimit të një arkitekture. Një projekt sado i qetë të duket fsheh shumë halle e probleme, ka qindra duar, është një vepër e orkestruar. Kjo mendoj se do ishte me vlerë dhe origjinale për këtë Bienale nga Shqipëria.

-Kjo duhet të ishte vendosur qysh në procesin e përzgjedhjes së përfaqësuesve tanë për në Bienale?

Përsa i takon procesit të përzgjedhjes them se mund të ishte një proces më gjithëpërfshirës dhe më përfaqësues. Një konkurs i hapur do të mundësonte ide, të cilat ne nuk mund të na shkojnë në mendje. Për shembull, lista e Pavijonit Grek në Bienalen e Arkitekturës përbëhej nga 40 apo 50 arkitektë të rinj, të rinj dhe me emër. Por, kishte dhe shumë shtete të tjera që e kishin bërë këtë gjë.

-Po nga ana artistike, si përfaqësohej pavijoni ynë?

Unë mendoj se artistikisht pavijoni ynë ishte shumë mirë. Ne mund që t’i jemi shumë borxhlinj polifonisë, por aty duhet të fliste arkitektura.

-Përse mendoni se ndodhi kjo?

Kam përshtypjen se ka ndodhur nga një paragjykim; sikur këtu ne nuk kemi çfarë të themi me arkitekturën. Ne mund të thoshim diçka më arkitekturore këtë radhë, këtë e tregon dhe fakti që në një botim në këtë Bienale na është dhënë një hapësirë, duke na konsideruar si të barabartë mes të barabartëve, pothuajse me të njëjtën cilësi. Kjo do të thotë që në këtë aspekt ne nuk kemi pse të frustrohemi dhe ta paragjykojmë veten, duke e menduar më poshtë se të tjerët. Kemi shumë arkitektë të rinj, që kanë shumë ide dhe energji dhe që presin të hapen shtigjet e mundësi për ta.

-Ju personalisht gjatë punës suaj si arkitekt, sa keni raportuar nga fronti, sa afër zbatimit të projekteve keni qenë?

Nëse do të tregoja histori mbi vështirësitë që ka një projekt arkitekture për t’u realizuar në Shqipëri, ato janë të paimagjinueshme. Ajo çka thashë edhe në atë organizim është veçantia e përpjekjeve të një arkitekti, i cili do që të realizojë diçka në Shqipëri. Janë përpjekje që nuk ekzistojnë në vende të tjera, të cilat edhe kur ekzistojnë, janë në forma më të zbutura. Këtu problematikat janë më të mprehta, sepse ne jemi shumë mbrapa në teknologjinë dhe kulturën arkitekturore. Nga ana tjetër është dhe vendimmarrja, politika. Të mos harrojmë se politika është pjesëmarrëse në arkitekturë. Qyteti është një krijim politik, madje vetë qyteti ka lindur bashkë me politikën. Nuk kemi përse të ankohemi nëse politika fut hundët në arkitekturë.

-Atëherë, cili është problemi?

Problemi është që politika të rrisë mundësinë për pjesëmarrjen e qytetarëve në marrjen e vendimeve. Por, që çdo akt arkitekturor është një akt politik, kjo është e padiskutueshme. Në këtë aspekt duhet të nënvizohet se ka humbur bashkërendimi midis arkitekturës e arkitektit nga njëra anë dhe politikës neë anën tjetër. Në vitet ’20, figura e arkitektit shihej ndryshe, sepse ai mund të rregullonte shoqërinë dhe qytetin, ka humbur roli si arkitekt demiurg. Kjo duhet rimarrë, arkitekti dhe politika duhet, të bashkëpunojnë së bashku për të mirën e qytetit. Është e gabuar, që arkitekti të shikohet vetëm si veshës i fasadës dhe krijues formash.

-Për mungesën e sipërfaqeve publike, ç’mund të na thoni?

Kjo u nënvizua edhe në diskutimet që pata mundësi të merrja pjesë. Humbja e sipërfaqes publike nuk është vetëm një problem i Shqipërisë. Qytet në fillim fare do të thotë hapësirë publike, nuk do të thotë godinë private. Nuk krijohet apo menaxhohet qyteti për të krijuar hapësirat private. Thelbi i qytetit janë hapësirat publike, këto mundësojnë që njerëzit të jetojnë mirë. Doli në pah se një ndër rreziqet më të mëdha të kohës së sotme është komerçalizimi i hapësirave publike.

-Por, sa po zbatohet ana estetike në arkitekturën e vendit tonë, veçmas në Tiranë?

Arkitektura ka të bëjë me jetën e njerëzve, duke u bërë jetën më të mirë dhe duke u dhënë objekte funksionale, por ka edhe një aspekt shumë të fortë të Bukurën. Nuk duhet të harrojmë se arkitektura është i vetmi art që e jep bukurinë falas. Nëse arkitektura nuk aplikon bukurinë atëherë ka mbaruar si art, shkencë apo si diçka në ndihmë të qytetarëve. Çdo hap drejt një arkitekture të mirë duhet që të jetë e justifikuar estetikisht dhe etikisht.

-Nëse ndalim te një nga projektet më të përfolura së fundmi në vendin tonë, Stadiumi “ Qemal Stafa” si qëndron kjo marrëdhënie këtu?

Për ndërtimin e stadiumit e kam shkruar se ajo vepër mund të qëndrojë estetikisht e marrë më vete, e shkëputur nga ai kontekst, por nuk qëndron etikisht si ndërhyrje. Ne nuk mundet që të ndërhymë atje dhe të injektojmë një dendësim të aktivitetit qytetar e të lëvizjes së njerëzve në një zonë që është e mbipopulluar. Qyteti duhet të dendësohet dhe kjo është një ide që ne duhet ta zbatojmë. Por, mos të ngatërrojmë dendësinë me mbipopullimin, ky bën të kundërtën e shkatërron qytetin. Kjo bën që ajo zonë të mos ta mbajë atë stadium. Por, nga ana tjetër është dhe problemi i Trashëgimisë Kulturore, sepse futja e një mase të tillë atje e eklipson atë si kompleks. Ai është një kompleks i përfunduar në çdo detaj. Nëse do të futet kjo masë atje kompleksi do të marrë një dimension tjetër. Nëse do të shkatërrosh një vepër arkitekturore, një mënyrë efikase do të ishte duke ndryshuar përmasën e kontekstit përreth. Ky është problemi që nuk është nënvizuar në të gjithë kritikën që i është bërë stadiumit. Unë e dua atë sport dhe një stadium dinjitoz për të, por ky do të ishte një rast që qyteti mund ta shfrytëzonte për të rimëkëmbur një zonë tjetër. Shpeshherë spekulohet me fjalën periferi, duke thënë periferia është në Vorë, por nuk është kjo. Periferi do të thotë edhe larg qendrës. Stadiumi është në qendër të qendrës dhe nuk duhet të bëjmë lojëra fjalësh. Pse është e tille kjo zonë është edhe me kushtueshmja. Ne kemi mundësinë që me këtë stadium t’i japim zhvillim e jetë një zone tjetër, për shembull unë kam dëshirë që të ishte në zgjatimin e Bulevardit. Fatmirësisht Bulevardi i ri po ndërtohet do te ishte në të mirën e tij që edhe stadiumi të shkonte atje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *