Nga Albina Gjergji
“Andrrat e babës”
Kur isha e vogël babai im
thurte shporta andrrash
t’mbushuna me t’ardhme
për mue.
Pinte kafen turke
nadje herët
e mbasi numëronte hallet
nji e nga nji
pa bá zá
e kishte zakon
veç thurte shporta
dëshirash…
T’njajten gja
bante përditë,
a thue se mbasi
mbaronte shportën
e radhës
ándrrat i ishin realizu!
Nji ditë e thithi aq fort
kafen prej filxhanit
sa m’çoi prej gjumit
e m’shkputi prej
lojës me kuklla…
E pashë krejt hûndë e buzë
e tuje kalue nëpër dûer’
fijen e thuprës m’qeshi
me nuanca dhembshunie
si me dashtë me m’thanë;
“M’fal mor bab’,
por kjo shporta
që kam n’dorë
e që po e thuri
me fije shprese
për ty,
m’përhumbi…
E fyti m’u tha
kur m’u kujtue
sesi u këput
thupra
e shportës
që gjyshi yt
dikur
kish bá për mue…
Për bijen témé
ka me qénë
ndryshe,
koha ka me e ndihmu”!
Babai im…
ai andrrimtari
i pandreqshëm
si e bija
e tij sot…
dështimet e ditës
i mbulonte me jorgan n’darkë,
por vetëm
pasi ju kishte thanë
“Natën e mirë”
dyrve t’pahapuna
t’miqve pa miq.
Ai kishte dûer t’vrazhda
Shpirtin e butë,
Zemrën e bardhë,
Ftyrën e përvujt’
Fliste me sytë jeshilë
krejt si ullini mijëvjeçar
poshtë t’cilit Jezu Krishti
dikur predikonte sesi duhet me qenë
NJERI.
Kur isha e vogël,
babai im
thurte shporta andrrash
t’mbushuna me t’ardhme
për mue.
Si Psalm më përsëritet
në krye dëshira e tij…
“BIJA IME, TI DUHET ME GZUE”!