Shpëtoni personazhin pozitiv

Në foto: Skenë nga filmi ‘Kush vdes në këmbë’ i regjisorit Vladimir Prifti.

Nga Eleni Laperi
Në filmin ‘Kush vdes në këmbë’ mbi Petro Nini Luarasin, skena e fundit e filmit, kur komitët majë kalit vijnë e zgjidhin konfliktin duke shpëtuar djegien e trupit të Petros prej turqve, është skenë tipike jo vetëm në filmat shqiptarë. Gjithnjë nëpër filma në fund heroi, qoftë ai princ apo kauboj, komit apo partizan, komisar policie apo personazhi i dhunuar vjen mbi kalë apo duke vrapuar, duke vringëllitur shpatën apo pushkën, dhe shpëton të mirët prej së keqes.
Nuk besoj se ka ndonjë të moshës sime, që nuk ka psherëtirë i lehtësuar, ngase heroi i dashur, apo perzonazhet pozitivë shpëtojnë mirë e bukur. Princi vjen shpëton Borëbardhën nga kafshata e mollës së helmuar të mbretëreshës-shtrigë; Richard Gear – biznesmeni ngjitet nga shkallët e zjarrfikësve (edhe pse i ka frikë lartësitë) me buqetën me lule, për t’I propozuar martesë Julia Roberts – prostitutës; partizanët shpëtojnë nënë Pashakon prej gjermanëve; Clint Eastwood – Preacher kthehet me kalin e pistoletën e tij të pagabueshme të shpëtojë banorët e qytezës prej bandës së Coy LaHood…
Mbyllje të tilla janë pa fund. Shikuesi i pëlqen shumë këto mbyllje, sepse me to i plotësohet dëshira për të ndëshkuar të keqen, që edhe pse nuk është reale dhe kërcënuese për të drejtpërdrejt atë çast, në forma të tjera nuk mungon asnjëherë rreth tij. Rreth nesh.
Këta shëmbuj më kujtuan një anekdotë, që tregohej në kohën e Enverit. Për të forcuar frymën e klasës punëtore dhe të fshatarësisë në organet drejtuese, në vitet ’70 disa punëtorë e fshatarë u morën e u bënë deputetë, ministra apo deri në zv-kryeministra. Një prej tyre ishte edhe Lenka Çuko, ish- kooperativiste. Pasi u vendos në vilë, diku në bllok, Lenka u mësua aq shpejt me jetën prej të privilegjuare, sa dolën fjalë që e tregonin mjaft arrogante me punonjësit e shërbimit. Një ditë i erdhi nga fshati për vizitë e ëma. Lenka nisi t’i tregonte dhomat e vilës me rradhë, pastaj kuzhinën, shërbyeset, kopshtin. Në fund e ëma iu kthye e merakosur e i tha: ‘Të keqen nëna, nuk ke frikë se vijnë partizanët e të vrasin?’
Nuk e di sa e vërtetë ishte kjo histori, po di se qarkullonte ndër shqiptarë e të gjithë e besonin, e tregonin me shumë qejf, me një dëshirë të fshehur, që partizanët, të cilët i kishte frikë nëna e Lenkës, vërtet të shfaqeshin e të ndëshkonin ata, që si ish-kooperativistja, tanimë antarë të byrosë politike, predikonin barazi proletare për të tjerët, po për vete bënin jetë prej të privilegjuarish.
Gjithë këto ditë dëgjoj ‘filmat’ që po luajnë politikanët tanë me reformën për drejtësi. Shoh se me sa paturpësi Coy LaHood-i shqiptar apo Dajlan beu – ndryshe parlamentarët e Kuvendit të Shqipërisë- tallen me popullin e tyre, që i mban me taksa e u paguan një jetë luksoze me makina, shërbyes, roje, sekretare e zëdhënëse bukuroshe, edhe pse për fëmijët e tij nëpër shkolla nuk ka klasa të ngrohta në dimër, edhe pse nuk ka elektrik e rrugë normale në qytetet e fshatrat e tij, edhe pse nuk ka punë për antarët e familjeve të tij.
Dhe them: mbase prandaj i zgjatin seritë e ‘filmit’, pasi kanë frikë se në fund të filmit do vijnë mbi kalë apo duke vrapuar komitët e mësues Petros apo ndonjë komisar policie t’i ndëshkojnë si e meritojnë. Prandaj mbase COD duhet të organizojë për politikanët tanë shfaqje filmash me komitë, partizanë, kauboj apo qoftë edhe filma me dedektivë. Sa për kujtesë se personazhi pozitiv duhet të shpëtohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *