Nga Alisa Velaj
Kisha frikë të hidhesha me parashutë. Shumë frikë. Po sikur të bëhesha përshesh mbi atdhe? Atëherë i bie të më mblidhnin me qemshe sa andej këndej. Apo s’ka dhe male te thepisura ky palo territor. Bie njeriu mbi to dhe në njërën anë i ngulet koka, në njërën i ngec njëra këmbë, njëra majë e thepisur i gris ato që s’thuhen…
Njëherë unë pata tentuar të derdhja gruan nga ballkoni, por ajo me thonjtë e këmbëve e të duarve nisi të ngjitej nëpër trupin tim si mace. Prandaj e kam shumë frikë këtë punën e kalimit të lëndës nga njëra gjendja e ngurtë në gjendje të lëngët.
Nxehtësisë i druhem njëlloj si parashutës. Kam shkrirë njëherë në 50 gradë celcius kur isha me pushime në Dubai. Më mblodhën nëpër shishe dhe me avion special më nisën drejt Antarktidës. Atje qëndrova për 30 minuta dhe u bëra ky që jam sot. Më i mençur se më parë dhe me gjymtyrë disi të çuditshëm.
Tani hidhem si majmun nga njëri mur në tjetrin, ndërsa kafka, të paktën me sa thonë, ka mbetur me përmasat që kishte më parë.
Në gjithë këto peripeci vetëm atdheu ka mbetur njëlloj. Ai përbëhet prej ajrit, ujit, tokës dhe ndonjë majmuni si puna ime…